Në intervistën e tyre të parë së bashku, Rajmonda Bulku dhe nëna e saj tregojnë për marrëdhënien dhe kujtimet e tyre të çmuara familjare. aktorja vlerëson se sa çift modern kanë qenë ata për atë kohë, sa bukur vishej nëna e saj që e përshkruan si një grua shumë fisnike e të kujdesshme.
I ati, Skënderi ishte me origjinë nga Tirana, një ushtarak por që duket se për bashkëshorten, Arditën, e vetmja ‘armë’ qe dashuria e pakushtëzuar. Rajmonda Bulku ka sjellë një letër të shkruar prej tij për Arditën që as ajo vetë nuk ka lexuar më shumë se pak rreshta një ditë më parë dhe ndan ekskluzivisht një pjesë të saj në programin “Rudina” në Tv Klan.
“Ardita, shpirt! Që ditën që më tha Skënderi se ti ishe vajza që unë mund të fejohesha, mua një ndjesi e papërshkruar më përshkoi trupin, më bëri që të më dridhej zemra dhe për një moment, mbeta, shtanga, nga një ndjenjë lumturie që më pushtoi tërë trupin dhe u hutova sepse këtë lumturi nuk do ta kisha menduar dhe nuk do ta arrija asnjëherë sepse ishte Ardita e bukur, e bukura e vogël, vajzë e mençur, vajzë që për mua ishte një engjëll i adhurueshëm që e doja me gjithë fuqinë e trupit dhe shpirtit. Si mundi Skënderi, vëllai jem, shoku jem, të më propozonte për ty? Unë mundohesha ta argumetoja se ti ishe e vogël, se unë të kisha si motër, të kisha motrën e shokut tim, motra e atij që unë e kisha më të shtrenjtë se veten time? Ardita, ti ishe shumë e vogël akoma, e parritur dhe e pastër për mua. Ti më mbushje me gëzim. Kur të shikoja dhe më prisje në shtëpi si vëlla, kur bisedonim, ti si vogëlushe, me lojëra si prej engjëlli të padjallëzuar, më kënaqje dhe më mbushje me gëzim. Si ta bëja unë këtë kërkesë? Si ta prishja gëzimin, qetësinë dhe lumturinë që ti kishe në shtëpinë tënde? Si mund të krijoja kondita që ti të ishe e lumtur me qetësinë dhe gëzimet që shtëpia jote t’i mundësonte? Si mund të shpresoja te një engjëll që nuk kishte as shkrimtar, as poet, as artist, as skulptor që të mund të nxirrte dhe pasqyronte virtytet e tua, bukurinë tënde në lulëzim dhe shpirtin tënd? Këta në veprat e tyre nuk do ta arrinin dot. As Dante nuk arrinte ta bënte sepse ti ishe shumë më e bukur se Beatriçja”./tvklan.al