Ekspertët kundërshtojnë kalimin e Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve në një strukturë në varësi të ministrisë së Brendshme. Propozimi i kryetarit të qeverisë Sali Berisha ndonëse të bazuar në një eksperiencë të mjaft vendeve evropiane duket të jetë i vështirë të zbatohet në terrenin shqiptar. Kristaq Kume, ish-kryetar i Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve, e bazon arsyetimin e tij nisur nga praktikat e hidhura të kontestimit të zgjedhjeve.
Kristaq Kume: “Në kushtet e vendit tonë kjo do të ishte një zgjidhje problematike, në kuptimin që ne nuk jemi të përgatitur as psikologjikisht në qoftë se do të adoptohej një zgjidhje e tillë, humbësi menjëherë do ta atakonte këtë institucion, duke thënë që ky ka votuar në emër të qeverisë që e ka pasur në tutelën e saj nëpërmjet ministrisë së Brendshme.”
Por Kume propozon:
Kristaq Kume: “Përfaqësim ose me pjesëmarrje të teknicienëve, të cilët mund të zgjidhen me të njëjtat parametra, rregulla siç mund të zgjidhet një nëpunës civil. Një institucion që s’ka pse të jetë me këtë numër që ne kemi sot, as me gjithë këtë administratë të rënduar që ne kemi sot, me pjesëmarrje të forcave politike dhe mbi nivelin e anëtarëve exoffice, domethënë që marrin pjesë në të, por nuk do të kenë të drejtën e votës. Lidhur me problemin e varësisë të konsiderohen zgjidhje si për një numër tjetër të konsiderueshëm institucionesh të tjera që kemi ne që janë jashtë varësive të dikastereve të caktuara, si për shembull mund të ishte në varësi direkte të Kuvendit të Shqipërisë.”
Paketa me ndryshime kushtetues parashikon ndër të tjera dhe shfuqizimin e nenit që i referohet Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve. Me hyrjen në fuqi të këtij ndryshimi veprimtaria e këtij institucioni do të rregullohet vetëm me ligjin zgjedhor./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi