Riinfektimet mund të ndodhin edhe pse të rralla për këtë periudhë kohore. Epidemiologu Ilir Alimehmeti deklaroi këtë të mërkurë nga emisioni “Opinion” në Tv Klan se për momentin shkalla e riinfektimeve është në raportin 1 për 1000 persona.
Megjithatë ai tregoi se në nivel global nuk ka një rast të dokumentuar mirë që një person të ketë humbur jetën pas riinfekimit. Sipas tij shumica e rasteve të riinfektimit janë më të lehta, por bëri thirrje për kujdes. Kjo për shkak se ekspertët nuk kanë shumë informacion në lidhje me transmetueshmërinë e sëmundjes pas riinfekktimit.
“Duhet të kemi parasysh që ka kritere se si dokumentohet një riinfektim. Ka raste riinfektimesh, por ka edhe shkallë evidencash për riinfektimet, ka shkallë të ulët, shkallë të mesme dhe evidencë të fortë. Ajo që duhet të japim si mesazh është që riinfektimet ndodhin. Janë në një shkallë 1 për 1000 për këtë periudhë kohe. Por deri më sot nuk ka rast riinfektimi të dokumentuar mirë që ka pasur pasojë vdekjen, ndërkohë që kemi 2 milionë e kusur vdekje në nivel global flas. Supozohet që shumica dërrmuese e rasteve të jenë më të lehta. Por kujdes! Nuk dimë gjë mbi transsmetueshmërinë tek tjetri”, tha Alimehmeti./tvklan.al