Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrest shtëpie dhe pezullimin nga detyra për Drejtorin e Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin në Policinë e Shtetit, Ervin Muça. Në një njoftim për mediat, prokuroria thotë se Muça akuzohet se ka eksportuar bazën e të dhënave të sistemit TIMS në Policinë e Shtetit. Ndaj tij është ngritur akuza “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237, 242 të Kodit të Procedurës Penale për shtetasin Ervin Muça, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka referuar materialin procedural regjistruar me nr. 9866, datë 01.09.2023 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, si dhe “Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 192/b të Kodit Penal. Po kështu, me shkresën nr. 2482 prot, datë 08.08.2023 Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka përcjellë material hetimor, protokolluar me nr. 10898, datë 08.08.2023, për vlerësim dhe është regjistruar procedimi penal nr. 5404, datë 01.09.2023. Në vijueshmëri të hetimit, shtetasi E. Muça është marrë person nën hetim, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike”, parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal”.

Muça akuzohet nga prokuroria se më 2 Gusht të vitit të shkuar ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në bazën e të dhënave që ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit, në orët e vona të natës, duke përdorur kodin PIN personal të një punonjësi tjetër jo prezent.

“Në mënyrë të përmbledhur nga hetimi i procedimit penal rezulton se, në datën 02.08.2023 në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muça. Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin. Hetimi i këtij procedimi penal është shtrirë në pyetjen e tërë personazheve të përfshirë në ditën e ngjarjes, por njëkohësisht edhe në kryerjen e ekspertimeve përkatëse. Në vijim të procesit hetimor, janë kryer verifikime mbi vërtetimin e besueshmërisë së personit nën hetim Ervin Muça, në raport me pozicionin e tij Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin”.

Pikërisht gjatë këtyre verifikimeve, prokuroria e Tiranës thotë se zbuloi se Muça në 2007, “në Itali është raportuar si përgjegjës për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë”. Po ashtu, ai rezulton se përveç detyrës si Drejtor IT, punonte edhe si këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në kundërshtim me ligjin për Policinë e Shtetit.

Nga veprimet procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, rezulton se ka dyshime të arsyeshme, se në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit është ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar nga Drejtori i Departamentit të Teknologjisë Informacionit dhe shtetas të tjerë.

“Personi nën hetim, sipas shkresës nr. 3041/1 prot, datë 08.01.2024 të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, rezulton se në datë 23.10.2007 në Itali është raportuar si përgjegjës për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë. Në datë 09.09.2008 shtetasit Ervin Muça i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari. Nga hetimi procedimit penal ndërmjet të tjerash, rezulton se personi nën hetim është këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit. Ligji për Policinë e Shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies. Personi nën hetim Ervin Muça nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin e DTI në Policinë e Shtetit”, thotë prokuroria në njoftim.

Kërkesa e prokurorisë u pranua nga Gjykata e Tiranës dhe vendimi i arrestit në shtëpi ndaj Muçës u ekzekutua gjatë mbrëmjes nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Po gjatë orëve të mbrëmjes, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ai u pezullua menjëherë nga detyra. /tvklan.al