Një 50-vjeçar i cili ndodhej në kërkim nga SPAK, si person që kërkoi të vriste dy vëllezërit Edmond dhe Albert Nela, është ekstraduar nga Spanja.
Ismail Zeneli, i njohur dhe me emrin tjetër Luan Sadria që shfaqet në këtë foto akuzohet se donte të hakmerrej për vrasjen e të vëllait në Britaninë e Madhe, ngjarje e ndodhur në vitin 2013.
Në Maj të atij viti në Angli u vra një shqiptar i quajtur Xhem Krasniqi, i cili në të vërtetë ishte Guximtar Sadria, vëllai i 50-vjeçarit. Për vrasjen e tij, Ismail Zeneli akuzonte dy vëllezërit Nela si autorë.
Për ekzekutimin e tyre, kërkoi ndihmë me ish-efektivin e policisë Dedan Gjoni, i cili i siguronte informacione mbi lëvizjet e dy vëllezërve dhe të afërmeve të tyre gjatë vitit 2020.
Zeneli sipas SPAK është përgjegjës edhe për vepra të tjera penale. Në bashkëpunim me persona të tjerë, edhe për dy episode të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut në Holandë dhe Valencia të Spanjës.
Ismail Zeneli ishte arrestuar në Spanjë, në 2 Dhjetor të vitit të shkuar, ndërsa ekstradimi i tij u bë i mundur pas bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Madrid.
Klan News