Prokuroria e Posaçme njoftoi këtë të mërkurë se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq 11 të akuzuarit e dosjes penale njohur ndryshe si “Metamorfoza 2”.
Pjesë e saj janë 2 ish-punonjës policie, familjarë të tyre, si dhe personazhe të njohur për drejtësinë shqiptare. Emrat e tyre dolën nga bisedat e zbërthyera në aplikacionet SKY dhe Encrochat.
Nëpërmjet tyre SPAK rreth 9 muaj më parë arriti të zbardh disa episode të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, në të paktën 3 raste, ku u sekuestruan 69, 166 dhe 446 kilogramë kokainë.
Gjithashtu u provua një rast të sigurimit të kushteve për vrasje të dy shtetasve si dhe episode të pastrimit të parave.
Në kërkim për këtë dosje me dyshimet se janë përfshirë në trafik të lëndëve narkotike nga vende të Amerikës Latine drejt BE-së, është Ervin Mata, Ismail Zeneli dhe Eralb Breçani.
Ky i fundit është djali i Erzen Breçanit, ish-drejtorit të Policisë së Tiranës, i vënë gjithashtu në akuzë si pjesë e kësaj dosje, për të cilin Gjykata e Posaçme ndërroi masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie.
Tv Klan