Lajme Arkiva 2004

Ka mbërritur në Tiranë për të prezantuar librin e saj më të ri shkrimtarja shqiptare me banim në Zvicër Elvira Dones. “Më pas heshtja” është libri që përmbyll ciklin prej tre romanesh të autores i cili  ka nisur me “Yjet nuk vishen kështu” dhe “Ditë e parë e fyer”.

Si gjithmonë tepër energjike Elvira Dones kishte zgjedhur që këtë libër ta prezantonte në një ambient intim siç është Friends Book House, ku ajo është takuar me miq të vjetër edhe u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Sipas autores boshti triologjik që lidh këta romaneve të saj nuk janë personazhet, por dhimbja, e cila ka qenë kaq shumë prezente jo vetëm në jetën e shqiptarëve,  por që  ekziston në jetën e çdo njeriu në botë.

Sipass saj këto romane janë shkruar në shqip dhe jo në gjuhën italiane që tashmë ajo e ka një gjuhë të dytë, pasi vetë narracioni i duket një punë tepër serioze dhe mund të ndihet i  plotë dhe i qartë vetëm në gjuhën e saj.

Elvira Dones: I kam lëshuar pe në një farë mënyre gjuhës tjetër që është gjuha ime adoptive që është italishtja,i kam lëshuar pe gjatë shkrimit të teksteve dokumentare, gjatë publicistikës, ose në shkrimin e skenarëve të filmit, por jo në narrativ. Në narrativ është tepër serioze, letërsia është tepër serioze për mua për ta kthyer në gjuhë tjetër. Shqipja mbetet jo vetëm gjuha e nënës por gjuha e pjekurisë dhe e rritjes dhe e ëndrrave të mia letrare të shumë-shumë  viteve përpara, atëherë kur prisja që dikur të ndihesha aq e pjekur ose aq e përgatitur, ose aq gati për të shkruar nga që është gjithmonë një proces jashtëzakonisht i gjatë./tvklan.al