Emigrantët nuk janë më blerësit kryesorë të apartamenteve në qytetin e Korçës.
Ndërtuesit thonë se që prej një viti interesi i tyre ka rënë ndjeshëm gjë që e ka çuar sektorin e ndërtimit në këtë rreth në një situatë kritike.
Lida Kushe: “Emigrantët janë çik të kufizuar, ka filluar të ndihet. E kanë shumë të vështirë shlyerjen e detyrimeve që kanë me ne”.
Ilir Selenica: “Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që të ardhurat nga emigracioni kanë rënë, gjithashtu kemi dhe një vlerësim të monedhës kombëtare në këto muajt e fundit, gjë që e bën situatën në disfavor të sektorit të ndërtimit”.
Tregu i banesave në qytetin e Korçës numëron prej një viti më shumë se 500 apartamente të pa shitura, shifër kjo që konsiderohet më e larta e viteve të fundit.
Daniela Zisi: “Ky është një apartament që ka përfunduar së ndërtuari disa muaj më parë, por që ende nuk është shitur. Ai ka një sipërfaqe prej 110 metër katror dhe vlera e tij llogaritet në 55 mijë euro.”
Por me gjithë situatën e krijuar ndërtuesit nuk shohin si zgjidhje uljen e çmimit pasi sipas tyre problem kryesor mbetet mungesa e kreditimit nga bankat.
Ilir Selenica: “Të gjitha kompanitë e ndërtimit vuajnë mungesën e likuiditetit. Të gjitha kompanitë e ndërtimit kanë mungesë kreditimi. Çmimet janë reale dhe blerësi nuk ndikohet nga një 3% apo një 5% që shoqatat e ndërtimit mundet të ulin”.
Shumë prej ndërtuesve pohojnë se puna e tyre tashmë do të orientohet drejt sektorit publik ku interesi i shtetit për të investuar duket të jetë më i madh./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle