Biznesi ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë me qeverinë lidhur me koordinimin e masave antikrizë për të përballuar çdo efekt negativ që mund të prekë ekonominë shqiptare.
Gjatë asamblesë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës evidentoi se është e udhës ngritja e një grupi pune të lartë qeveritar në rolin e një komisioni koordinativ dhe këshillimor antikrizë.
Si masë mbrojtëse ajo propozoi uljen e mëtejshme të barrierës fiskale për importin e disa mallrave, si dhe përjashtimin nga TVSH-ja të makinerive prodhuese.
Duke e cilësuar sektorin e ndërtimit si një nga më të ndikuarit nga kriza globale, Dhoma e Tregtisë ka sugjeruar liberalizimin e lejeve të ndërtimit për ta kthyer ne normalitet situatën oligopol të krijuar në disa nga bashkitë më të mëdha të vendit.
Deklarata e kësaj dhome e bërë gjatë mbledhjes së asamblesë vijon me kërkesën për heqjen e pagës së referencës për sektorin e ndërtimit, atë të prodhimit dhe për biznesin e vogël.
Gjithashtu organizata kërkon dhe kreditimin me hua të buta për kompanitë që vendosin të aplikojnë standardet ndërkombëtare të cilësisë si ISO, etj.
Në emër të këtij grupimi biznesi, kryetari Gjok Uldedaj përshëndeti gjithashtu nismën e qeverisë për blerjen e 6 mijë apartamenteve për të pastrehët, duke propozuar edhe ndihmën për kredinë ndaj familjeve që blejnë shtëpi për herë të parë si dhe heqjen e taksës hipotekore deri në Maj të 2010-tës për këtë kategori./tvklan.al