Ambientet e këtij lokali nate në brendësi të Qytetit Studenti në Korçë kanë qenë pikënisja e sherrit mes tre të rinjve dhe një personi të katërt, ku si pasojë  e përleshjes me thika mbeti i vdekur 25-vjeçari Elvis Spaho.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit të kësaj të mërkure pas një debati mes viktimës dhe Erion Pepelloshi nga Korça që është prangosur pasdite.

Daniela Zisi: “Këto grupe të rinjsh kanë dal nga ky lokal që ndodhen në ambientet e brendshme të “Qytetit Studenti” dhe janë përleshur me njëri-tjetrin me grushte dhe thika, për pasojë ka mbetur i vdekur një 25-vjeçar nga qyteti i Korçës, ndërsa 2 persona të tjerë kanë marrë plagë të lehta.”

Grindja mes të rinjve nisi në ambientet e brendshme të lokalit. Sipas dëshmive të dhëna në polici nga dëshmitarë të ngjarjes, femra që ishte në shoqërinë e 25-vjeçarit Elis Spaho është ngacmuar me fjalë nga autori i ngjarjes.

Më pas sherri ka vijuar në ambientet e jashtme me grushte dhe mjete të forta. Spaho është qëlluar disa herë me thikë, por ka qenë një goditje në afërsi të zemrës ajo që i ka marrë jetën 25-vjeçarit.

Studente: “Ishte një ditëlindje dhe me sa di unë e gjitha objekti grindjes ishte një femër, kishte edhe të jashtëm që nuk ishin studentë nga Korça.”

Nga përleshja janë plagosur edhe dy shokët e viktimës, Ledian Hoxha dhe Leonard Bardhko. Ngjarja ka alarmuar drejtuesit e qendrës Studentore  në Korçë, pasi ky lokal frekuentohej shpesh nga studentët e universitetit Fan Noli./tvklan.al

Gazetare: Daniela Zisi