Ish-kryeministri italian Matteo Renzi, kryetar i partisë ‘Italia Viva’, është i bindur se marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët nuk i jep zgjidhje problemit të emigracionit.
Renzi e sulmoi kryeministren Giorgia Meloni mbi këtë temë në një intervistë për televizionin LA7, ku u dha të drejtë gjyqtarëve që i kthyen emigrantët nga Gjadri në Itali. Ai shprehu po ashtu shqetësimin për sigurinë e emigrantëve që mund të vijnë në vendin tonë, duke iu referuar mënyrës se si u arrestua me forcë nga policia ish-Presidenti i Republikës Ilir Meta, teksa pamjet e momentit të prangosjes kanë bërë xhiron e botës.
“Numri i emigrantëve që mund të dërgojmë në Shqipëri në raport me numrin e atyre që vijnë ilegalisht në Itali është 1.6% e totalit. Ne e dimë që Shqipëria ka një standard ndryshe. Kanë arrestuar ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë. Shikoni pamjet se si e nxjerrin nga makina atë që dikur ishte President i Republikës. Për emigrantin bengalez ndoshta do të kenë më pak kujdes. Por s’po ndalem në aspektin juridik, po ndalem në atë numerik. 1.6% e emigrantëve na kushtojnë, sipas optimistëve, 700 milionë euro. Për mua, 1 miliard. A e kuptoni se nëse shkon mirë janë 40 miliardë dhe nëse shkon keq janë 80 miliardë euro? Pra, Meloni, për një kapriço të vetën, po shpenzon 80 miliardë nga paratë e italianëve për të mos zgjidhur asgjë.”
Në emision u publikua edhe një sondazh mbi problemin e emigracionit. Pyetjes “A do ta sjellin rezultate qendrat e emigrantëve në Shqipëri në menaxhimin e emigracionit?”, 28.1 përqind iu përgjigjën PO, 53% iu përgjigjën JO dhe 18.7% thanë se nuk e dinin.
Tv Klan