Nën ndikimin e revolucionit kulturor kinez Shqipëria në vitin 1966 u përfshi nga një valë ndryshimesh, reformash në të gjitha fushat e vendit.
Një letër e hapur e komitetit qendror të partisë drejtuar masave punonjëse si gjithmonë u përshëndet, u diskutua dhe ajo u bë shkak që të shpërthejnë një seri iniciativash absurde, por disa prej tyre edhe me përmasa e pasoja serioze.
Heqja e grandeve dhe reformimi i ushtrisë ishte një prej atyre ndryshimeve që ndikoi jo pak në organizimin e ushtrisë sonë.
Kuadro të larta, të transferuara, gjeneralë që u kthyen në oficerë të thjeshtë, organizimi i forcave vullnetare e detaje të tjera përmes historisë së treguar nga ish majori, Ahmet Mehmeti, një nga kuadrot e Shtabit të Përgjithshëm në ato vite.
Ahmet Mehmeti: “Në masën më të gjerë qëndruan heshtur, por me ndjenjë ishin kundër atij vendimi për heqjen e gradave në ushtri.”
Janë vitet ku televizioni ende s’është bërë një mjet komunikimi masiv, por radio është aparati më popullor për të gjithë shqiptarët, megjithëse për të patur një radio në shtëpi duhet marrë një autorizim nga organizmat e asaj kohe.
Si u prodhua radioja e parë shqiptare? Si rrethi i elektronikës në Pallatin e Pionerëve të qytetit të Durrësit nën drejtimin e mësuesit të tyre, Ali Çetaku, prodhuan radion “Adriatik” dhe radion “Pioneri”?
Aparatura e parë me telekomandim. Si Ministria e Mbrojtjes dha idenë e telekomandimit të mitralozit “Gorianov” për mbrojtjen e kufijve detare?
Ali Çetaku: “Ishin marrë disa eksperimentime, disa realizime që mund të themi pat filluar një entiuziazëm ndërmjet rretheve tekniko-shkencore në shtëpitë e pionierit, në Pallatin e Pionerit në Tiranë. Në gjithë republikën u nxit kjo që të prodhojnë një radio, të bëjmë diçka”.
Por vitin 1966 vijoi edhe me momente të tjera siç ishte çuarja e kuadrove të lartë në fshat.
Transferimi i tyre me dëshirë apo pa dëshirë ishte një nga fenomenet tipike që vazhdoi për një kohë të gjatë nën pretekstin e luftës kundër burokratizmit.
Vullnetari që shkon në fshat është historia e veterinerit Petrit Berberi, i cili kërkoi të punojë në Baban.
Petrit Berberi: “Kur ndodhi kjo nismë mendova dhe e kërkova vetë për të vajtur në një nga qendrat ku zhvillohej blegtoria ku të deshte komiteti ekzekutiv i atëhershëm”.
Por edhe volejbolli për meshkuj me Dinamon kampione të shumëfishtë do të jetë një nga historitë e këtij viti.
Trajneri Vangjel Koja që për 35 vjet drejtoi ekipin Dinamo VIP do të sjellë episode dhe kujtime nga disa breza sportistësh.
Vangjel Koja: “Shkuam në turneun në Kinë ne, por ishte në kohën e revolucionit kultural. Të gjitha ato dy muaj që ndejtëm ne aty s’morëm vesh asgjë. Kur po ktheheshim në ato revistat italiane që ishin në aeroport edhe në avion unë pashë, u habita me thënë të drejtën, kur mora vesh që në revolucionin kultural që ne ishim prezent aty ishin vrarë mbi 1 milion e ca vetë.”/tvklan.al