I qetë në komunikimin e tij me tonalitet të ulët, por me fjalë që peshojnë shumë.

Si gjithmonë me përgjigje të shkurta, por të qarta, i thellë në mendimin e tij për Shqipërinë, shqiptarët dhe botën që na rrethon.

Për shkrimtarin Ismail Kadare edhe qetësia me shqetësimin janë të ndryshëm si në Tiranë edhe në Paris.

Pikërisht në këtë të fundit vetëm 24 orë më parë një ekip i televizionit Klan dhe drejtuar nga gazetari Blendi Fevziu e vizitoi në shtëpinë e tij.

Ismail Kadare: “Dhe qetësia dhe shqetësimi janë ndryshe në Tiranë dhe Paris, janë të natyrave të ndryshme.”

Blendi Fevziu: “Në ç’kuptim?”

Ismail Kadare: “E kam të vështirë ta shpjegoj, por në të gjitha kuptimet.”

I nderuar vetëm pak ditë më parë me çmimin më të madh spanjoll “Princi i Austrias”, ndër më prestigjiozët në fushën e letërsisë, shkrimtari Ismail Kadare është rrëfyer në një intervistë ekskluzive për emisionin Opinion.

Mbase pak kush e di, por një vit më parë për të njëjtin çmim Kadare do të renditej i dyti në listën e fituesve.

I përkthyer në 40 gjuhë, prej mese 40 vjetësh edhe në Spanjë, vendi i cili e botoi ndër të parët veprën e tij, ai pranon se ka përjetuar kontradikta të mëdha përgjatë 20 viteve duke nisur prej 70. Atëherë shqiptarët e kohës do të thoshin:

Ismail Kadare: “Se ne kemi një shkrimtar që edhe vetë e duam e pranojmë, por na i do edhe borgjezia. Sigurisht këtu është një gjë bazike, themelore nuk e shmang dot një dilemë të tillë. Kush është e vërteta? O ne nuk jemi në rregull ose ata nuk janë në rregull. Ose nesh nuk e kuptojmë këtë shkrimtar, ose ata e kuptojnë ndryshme.”

Biseda për Nënë Terezën e fut në një hulli tjetër mendimesh, po kur mjeshtërisht artikulon se ajo e ka një popull të vetin, të cilin edhe ajo vetë e ka njohur. Roli planetar i Nënë Terezës duhet të zbehë çdo diskutim tjetër.

Ismail Kadare: “Filani, dita e lindjes, dita e vdekjes, nga ky vend, nga ky popull. Nënë Tereza është e vërtetë se i përket gjithë njerëzimit, por e ka një popull siç e ka thënë ajo vetë. Çfarë të keqe ka që ne e themi këtë gjë, çfarë te keqe ka? Çfarë bëmë në një llogari si të themi diabolike, ose e shfrytëzuam Nënë Terezën për të zhvatur ndonjë të mirë në Ballkan.”

Për shqiptarët mendon se janë disi mendje mëdhenj. Këtë mbase e ka një cen, por në të njëjtën kohë shton i sigurt se ka një identitet dhe kjo nuk duhet të diskutohet.

Blendi Fevziu: “A janë vërtetë pak mendjemëdhenj shqiptarët?

Ismail Kadare: “Janë, janë shumë jo pak që në cenet e tyre, por ama në qoftë si ka një model që e kapërcen këtë cen, e korrigjon, çfarë të keqe ka.”

Kadare konsideron se nuk mund të ketë dy identitete, një shqiptar dhe një kosovar, por ashtu si një lexues i mirë lexon edhe nën reshta, në mund të dëgjojmë edhe mbi fjalët që Kadare thotë, se një popull me dy shtete mund të funksionojë normalisht.

Këto dhe tjera komente të shkrimtarit Ismail Kadare siç është edhe largimi i tij nga Shqipëria në Tetor të vitit ‘90 do t’i mësoni sonte në mbrëmje në emisionin Opinion./tvklan.al

Gazetar: Drini Zeqo