Mbrëmjen e së shtunës, autoritetet italiane ndaluan një kamion që ishte nisur nga Barcelona, në brendësi të të cilit u gjetën 206 kg marijuanë. Policia arrestoi shoferin, një 48-vjeçar italian Enzo Di Mauro dhe një shqiptar.
Ky i fundit quhet Eduart Mecani 50 vjeç dhe është nga Durrësi. Sipas Corriere, shqiptari është i lidhur me klanin mafioz të “Ndrangheta”. Ai priste mbërritjen e kamionit nga Spanja për të shkarkuar ngarkesat me kanabis dhe për t’i transportuar më pas me furgon.
Në shtëpinë e njërit prej dy të arrestuarve u gjetën 66 mijë Euro, ndërsa destinacioni i drogës ishte Milano, thotë policia italiane. Corriere raporton se ekziston një rrjet i madh në Spanjë i përbërë nga ndërmjetësues dhe furnizues direkt të drogës që importohet nga Afrika e Veriut. Rol të rëndësishëm kanë edhe shqiptarët, të cilët presin ngarkesat që mbërrijnë. Më pas lënda narkotike ngarkohet në kamion për transport nga persona të tjerë që kanë këtë detyrë dhe në fund shitet në tregun e pakicës. Gjatë këtij operacioni antidrogë, kanabisi ishte fshehur në një kamion që transportonte materiale ndërtimit.
/tvklan.al