Siç vihet re në këto pamje, po bëhen edhe përgatitjet e fundit që kjo xhami të jetë gati për inaugurimin në të cilin do të marrë pjesë Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti turk Erdogan.
Hapja e Xhamisë së Namazgjasë sipas ish-Myftiut të Tiranës, Ylli Gurra është ngjarje e rëndësishme jo vetëm për besimtarët brenda vendit, por edhe për ata të trevave shqipfolëse.
Ylli Gurra, ish-Myfti i Tiranës: Domosdoshmëri thuajse një shekullore, jo thjesht ndërtimi në pamjen arkitekturore, por plotësimi i një domosdoshmërie religjizore, do të jetë më së shumti edhe për vëllezërit tanë të diasporës, pra Kosovës, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi.
Tashmë të gjithë besimtarët myslimane do ta kryejnë faljen për Bajram në xhaminë e re pasi ofron kapacitet për rreth 8 mijë persona.
Ylli Gurra, ish-Myfti i Tiranës: Ne kemi përcjellë për teleshikuesit tuaj faljen në kushte të vështira të faljes së Bajramit në sheshin “Skënderbej” apo në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në rastin më të mirë dhe në kohë të volitshme, pra në kohët jo me shi, numri shkon afërsisht në 7 mijë apo në 8 mijë besimtarë.
Lidhur me qarkullimin në media se Xhamia e Namazgjasë do të drejtohet nga një klerik turk, Gurra jep këtë përgjigje.
Ylli Gurra, ish-Myfti i Tiranës: Xhamitë e kësaj natyre dhe të këtij kapaciteti nuk mund të mbulohet shërbimi apo shërbesat aty, vetëm përmes një hoxhe apo imami, sigurisht që duhet të jetë një grup i mirëfilltë. Personi është një prej hoxhallarëve i cili në aspektin e librit të “Kurani-it”, para disa muajsh është shpallur i pari në Turqi.
Edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me anë të një postimi në rrjetet sociale ka falënderuar popullin turk, Presidentin Erdogan dhe Kryeministrin Rama për këtë ëndërr që u bë realitet.
Xhamia e Namazgjasë do të jetë një nga më të mëdhatë në Ballkan dhe me një infrastrukture unike, punimet e të cilës nisën në vitin 2015.
Klan News