Një nga kushtet që ka sot Shqipëria për t’u bërë anëtare e familjes së madhe evropiane është lufta kundër krimit të organizuar.
Fenomeni i krimit të organizuar në Shqipëri po njeh forma të reja. Asistenca që misionet e huaja kanë dhënë në kualifikimin e një pjese të mirë të stafit policor ka rezultuar deri diku e paqëndrueshme për shkak të largimit të një numri të madh të stafit nga policia.
Ervin Hoxha: “Momentalisht policia e shtetit ndodhet në një fazë që sapo ka përfunduar implementimi i gradave. Natyrisht kjo ka qenë një proces shumë i gjatë, një proces shumë i vështirë për policinë e shtetit. Ka pasur dhe rastet që ju përmendët, dikush që mund të jetë trajnuar nga misionet ICITAP ose PAMECA është për arsye të keqmenaxhimit, për arsye të keqshfrytëzimit të burimeve ose të disa arsyeve që normalisht nuk duhet të ndodhnin”.
Ervin Hoxha, është i vetmi student i huaj deri më sot që ka përfunduar një shkollim 2-vjeçar me gradë dhe master akademik në administrimin dhe menaxhimin policor në Gjermani.
Shteti shqiptar financoi që ai të marrë njohuri në një nga shkollat më të mira gjermane në luftën kundër krimit të organizuar.
Ervin Hoxha: “Jam i kualifikuar dhe e kam shkruajtur temën time mbi krimin e organizuar në Shqipëri. Ka qenë një punë e gjatë, e vështirë që ka zgjatur rreth 14 javë. Unë kam paraqitur problematikat e krimit të organizuar në Shqipëri, kam paraqitur strategjitë e luftës kundër krimit të organizuar”.
Gazetarja: Mendoni se tashmë që ku jeni mbaruar një master të tillë duhet të jeni efiçent në policinë e shtetit?
Ervin Hoxha: “Luftën kundra krimit dhe fenomeneve të ndryshme të krimit mund ta bëjnë njerëzit që në radhë të parë kanë pasionin, kanë vullnetin, kanë dëshirën për ta luftuar. Pjesa tjetër është pjesa e metodikës, e shkollimit për të përmirësuar luftën kundër krimit e për të qenë sa më shumë efikas në luftë kundra krimit dhe kompromisi i vetëm është vullneti për të luftuar një fenomen parazitar, një fenomen që i ka degët shumë të thella. Atëherë duhet të them se ne do të jemi të suksesshëm”./tvklan.al
Gazetarja: Anduena Llabani