Erozioni në zonën e Kunes në Shëngjin është kthyer në shqetësim për banorët, pasi depërtimi i ujit të detit në lagunë, rrezikon dhjetëra biznese që shtrihen në këtë territor.
Izolimi i saj ka filluar, pasi rruga është prishur pothuajse plotësisht. Sipas specialistit të mjedisit, Jak Gjini, deti po avancon duke rrezikuar të shkojë deri në zonat e banuara.
Jak Gjini: “Aktualisht jemi në fazën e hyrjes direkte të detit brenda lagunës së Mergjanit. Situata është jashtëzakonisht kritike falë një erozioni tepër agresiv që është provokuar prej shumë kohësh për shumë arsyesh. E para nga efektet klimatike dhe ngjarjet ekstreme me kapërderdhje të detit dhe me një fuqi të dallgëve akoma më të mëdha dhe ajo që është më kryesorja humbja e funksioneve natyrale që ka lumi Drin për këtë zonë. Lumi Drin prej vitesh nuk sjell pezulli të ngurta që të krijojë një balancë me detin në mënyrë që deti të mos përparojë në drejtim të lagunave.”
Erozioni në zonën e Kunes vazhdon prej disa kohësh. Çdo vit deti avancon me afërsisht një metër duke mbuluar tokat. Deri më tani nuk është marrë asnjë masë për të parandaluar këtë fenomen./tvklan