“Gati gjysma e popullsisë mbi 15 vjeç në Shqipëri kanë arritje arsimore të ulëta sipas një raporti të fundit të Fondit Europian të Trajnimeve. Në krahasim me vendet e rajonit si Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje Hercegovina, kjo shifër e vendos vendin tonë në një pozitë më të dobët”, raporton gazetarja e Tv Klan Dorina Halili.
Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti thekson se një nga arsyet kryesore të këtij fenomeni është mungesa e një sistemi efektiv të këshillimit të karrierës dhe orientimit drejt tregut të punës.
“Do të thotë që e para duket fare qartë se kemi një këshillim karriere që është shumë i dobët, nuk kemi një platformë të qartë se cilat janë degët prioritare të ekonomisë.”, shprehet eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti.
Për pasojë kjo sjell disa sfida.
“Përkthehet në pamundësi ekonomike, pra ne rrezikojmë që brez pas brezi të trashëgojmë varfërinë, përkthehet në faktin që do na mungojnë profesionistët. Do kemi fuqi shumë pak konkurruese brenda tregut tonë dhe në rajon. ”
“Sipas Fondit Europian të trajnimeve, në Shqipëri ka një nevojë kritike për iniciativa të të mësuarit gjatë gjithë jetës për të nxitur pjesëmarrjen e të rriturve në arsimim dhe trajnime”, thotë gazetarja e Tv Klan Dorina Halili.
“Unë do të vij të regjistrohem se jam i papunë. Jam me arsimin 9-vjeçar. A më siguron ti trajnimin e duhur në lidhje me tregun se ti do më bësh lidhje me tregun e duhur, se unë nuk e di”, shprehet eksperti.
Ndërkohë që ndryshimet demografike, duke përfshirë plakjen e shpejtë dhe normat e larta të emigrimit, përbëjnë sfida të rëndësishme për Shqipërinë, rekomandohen përpjekje të vazhdueshme për përmirësim të arsimit dhe formimit profesional.
Tv Klan