Hetuesit e EULEX kanë filluar grumbullimin e të dhënave në Serbi dhe Maqedoni për të verifikuar informacionet se gjatë konfliktit të Kosovës, serbët përmes Maqedonisë kanë tregtuar organet e shqiptarëve të vrarë në luftë për në Rusi.

Grumbullimin e këtyre informacioneve për të cilat burimet e televizionit tonë se ende nuk janë të nivelit zyrtar, përfaqësuesit e EULEX-it i kanë filluar pas reagimeve të zyrtarëve Kosovarë të cilët janë shprehur të mllefosur nga gatishmëria e organizatave ndërkombëtare për të hetuar tregti eventuale me organet e serbëve të vrare dhe mosmarrjes së iniciativave për hetimin e tregtisë së mundshme me organet e shqiptarëve të vrarë nga ana e ushtrisë serbe.

Të njëjtat burime thonë se grumbullimi i këtyre të dhënave tani për tani kryesisht bëhet përmes bisedave jozyrtare me persona të cilat kanë qenë mbartës të funksioneve në përbërje të atëhershme të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrive të Shëndetësisë në Serbi dhe Maqedoni.

Në bazë të këtyre informacioneve do të vendoset nëse do të ngrihet procedurë zyrtare hetuese. Klan Kosova kontaktoi me zëdhënësin e EULEX, Kristof Lanfalusi, i cili deklaroi se nuk është në dijeni për këtë iniciative të EULEX-it, mirëpo nuk e hodhi poshtë një gjë të tillë.

Edhe përfaqësuesit e policisë maqedonase thotë se tani për tani nuk ka ndonjë informacion për këto aktivitete të EULEX-it.

Klan Kosova kontaktoi edhe me Ministrin e Brendshëm, Zenun Pajaziti, i cili ngjashëm si zëdhënësi i EULEX-it, tha se nuk ishte në dijeni për hetime të tilla, po nuk hodhi poshtë një gjë të tillë, deri sa tha se policia e Kosovës mund të ketë përgjigje eventuale për këtë çështje.

Numri i civilëve të vrarë shqiptarë në luftën e vitit 1999 është rreth 12000, ndërsa të pa gjetur mbeten afro 2000 prej tyre./tvklan.al