Askush nuk do ta kishte imagjinuar, por dy prej kuqezinjve tanë kanë thyer plot 3 rekorde historike në pak ditë. Goli spektakolar i Nedim Bajramit 23 sekonda pasi nisi ndeshja Shqipëri-Itali, hyri në historinë e Europianit. Pavarësisht disfatës me Kombëtaren italiane, ky gol bëri bujë në të gjitha mediat botërore.

Edhe ish-futbollisti rus Dmitri Kirichenko u befasua që një shqiptar arriti të “mposhtë” rekordin e tij të para 20 viteve.

4 ditë më vonë, vjen një tjetër përballje emocionuese me Kroacinë. “Shqiponjat” fillimisht kaluan në epërsi, por kroatët u rikthyen fuqishëm në pjesën e dytë. Pasi barazuan, një autogol i Gjasulës ‘theu zemrat’ e tifozëve kuqezinj. Por ndodhi mrekullia!

Teksa ishte shuar çdo shpresë, mesfushori mbrojtës Gjasula shënoi golin e barazimit. Pas 94 minutash e 23 sekondash lojë, ai theu një tjetër rekord, atë të golit më të vonë në historinë e Europianit.

Por jo vetëm kaq, Gjasula është zëvendësuesi i parë në historinë e Europianëve apo Botërorëve që arrin të shënojë në të dy portat në një ndeshje të vetme.

3 rekorde për Shqipërinë në nisje të Euro 2024, që kanë shkaktuar “bujë” në mediat më të rëndësishme të globit.

BBC shkruan me një vlerësim të lartë për Kombëtaren tonë, duke e cilësuar “skuadër luftarake”, ndërsa Daily Mail e nis shkrimin e saj kështu: Nga zero, në hero!”

Për mesfushorin e  Shqipërisë Gjasula, kanë shkruar edhe shumë media të tjera.

The Guardian thotë se “loja e tij ishte e zhurmshme”. “Shkathtësia e saktësia para portës nuk janë gjëja e tij, por kjo nuk ndodhi sot. Tifozët shqiptarë e meritonin!”

Për media të tjera, Gjasula u kthye nga një “horr” në hero. Komentues në rrjete sociale e kanë marrë me humor performancën e tij sot, duke thënë se “ka dyshime që Gjasula të jetë shqiptaro-kroat”.

Sido të jetë, ëndrra vazhdon…

Në turin final, Shqipëria do të përballet me Spanjën, ndërsa Kroacia do të ketë një përballje të tensionuar me Italinë.

E.D/tvklan.al