Trajneri Sylvinho pritet të bëjë 3 ndryshime për takimin e rëndësishëm ndaj Spanjës. Në sulm duket se do të rikthehet Broja, ndërsa risi do të ketë edhe në prapavijë. Në konferencën për shtyp, trajneri Sylvinho tha se formacionin e titullarit e kishte të qartë në mendjen e tij.
Tekniku kuqezi pritet që të luajë me skemën e zakonshme, atë 4-3-3, por në fushë priten emra të rinj krahasuar me përballjen e fundit ndaj Kroacisë. Duket se në portë, braziliani do të vazhdojë t’i besojë Thomas Strakoshës.
Në prapavijë në të majtë Mitaj e ka të blinduar vendin e tij. Ashtu si edhe kapiteni Gjimshiti në qendër të mbrojtjes. Në krah të tij në vend të Ajetit pritet të luajë Ismajli dhe ndryshime do të ketë edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku në vend të Hysajt do të jetë Balliu.
Në mesfushë Ramadani dhe Laçi do të kenë detyrën që të prishin sulmet e iberikëve, ndërsa më i përparuar do të jetë Asllani. Në qendër të sulmit gjasat janë të mëdha të rikthehet Broja, i mbështetur në të majtë nga Bajrami dhe në të djathtë nga Asani.
Tekniku Silvinjo ua ka bërë të qartë futbollistëve që të japin maksimukin për sfidën ndaj ekipit të De la Fuentes, që tashmë e ka siguruar kualifikimin. Sipas brazilianit, kujdesi më i madh duhet të jetë nga krahët, aty ku “Furia e kuqe” ka treguar rrezikshmëri të lartë.
Formacioni i mundshëm:
Në portë: Strakosha
Në mbrojtje: Mitaj; Gjimshiti; Ismajli; Balliu
Në mesfushë: Ramadani; Asllani; Laçi
Në sulm: Bajrami; Broja; Asani
Klan News