Thirrjet kundër maqedonasve i kushtuan Mirlind Dakut 2 ndeshje pezullim nga UEFA. Sulmuesi i kombëtares çuditërisht u përfshi në nxitjen e tifozëve me thirrje raciste me megafon.
Sjellja e tij u kritikua, fillimisht ka qenë Federata e Futbollit në Maqedoninë e Veriut, që ka kërkuar nga UEFA të merreshin masa. Më pas ishte klubi ku luan Daku në Rusi, Rubin Kazan, që nuk e ka mirëpritur këtë sjellje të sulmuesit nga Gjilani.
Nga ana tjetër Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA gjobiti edhe Federatën Shqiptare të Futbollit me shumën 47,500 euro për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes së dytë të grupit ndaj Kroacisë.
Penalizmi financiar ka ardhur sërish nga problematika e shkaktuar nga disa tifozë shqiptarë, të cilët ndezën flakadanë gjatë ndeshjes, transmetuan mesazhe të papërshtatshme si edhe për ndërprerjen e ndeshjes nga një tifoz gjatë zhvillimit të lojës.
Me këtë rast Federata e Futbollit u bën sërish apel të gjithë tifozëve shqiptarë që të jenë më të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e këtyre incidenteve dhe trazirave totalisht të evitueshme, që mund të sjellin penalitete financiare dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar.
FSHF rikujton edhe një herë se gjatë ndeshjeve nuk lejohen mesazhet me natyrë politike, etnike, racore etj.
Tv Klan