Sot nis zyrtarisht Kampionati Europian që do të zhvillohet në Gjermani. Ndeshja e parë do të jetë mes vendit pritës dhe Skocisë që do të zhvillohet në orën 21:00 në Mynih. Ditën e nesërme pritet të luhet ndeshja e parë e Shqipërisë, ajo me Italinë.

Për të folur më shumë mbi sigurinë dhe nevojat e tifozëve shqiptarë që ndodhen në Gjermmani në një lidhje direkte në Klan News, Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi u shpreh që i gjithë stafi është në gatishmëri për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë tifozëve për problemet që mund të hasin.

Ambasadorja theksoi se në rrjetet e tyre sociale ndodhen të gjitha informacionet e duhura në lidhje me pikëndodhjet e shërbimeve konsullore që ofrohen për çdo ndeshje.

Adia Sakiqi, ambasadore e Shqipërisë në Gjermani: Gjithmonë qytetarët kanë nevoja dhe ne jemi këtu për t’jua ofruar këtë shërbim, për shkak se në Gjermani nuk jemi të pajisur me konsullata në të gjitha vendet e Gjermanisë sidomos në këtë pjesë që do të luhen të treja ndeshjet.

-Do të lëvizni tani gjatë Europianit dhe ku mund të marrin ndihmë tifozët shqiptarë?

Adia Sakiqi, ambasadore e Shqipërisë në Gjermani: Në rrjetet tona sociale janë të shpallura të gjitha pikëndodhjet që ne ofrojmë për çdo ndeshje tre ditë shërbime konsullore, një ditë para ndeshjes, gjatë ndeshjes dhe një ditë pas ndeshjes. Ofrojmë në Dortmund ku do të luhet ndeshja Itali-Shqipëri, në Hamburg ku do të luhet ndeshja Kroaci-Shqipëri dhe në Duseldorf ku do të luhet ndeshja Shqipëri-Spanjë. Në rastin e Dortmundit ne kemi zyrat tona që janë në qendër të Dortmundit që i kemi mundësuar për qytetarët, kurse në Hamburg kemi një bashkëpunim me konsullatën e përgjithshme të Kosovës dhe e falenderojmë këtë bashkëpunim. Gjithashtu edhe në Duseldorf do të bashkëpunojmë me konsullatën e përgjithshme të Kosovës.

-A ka numra telefoni, adresa email-i ku ata mund të kontaktojnë?

Adia Sakiqi, ambasadore e Shqipërisë në Gjermani: Po ka numra telefoni të cilat janë në rrjetet tona sociale. Gjithashtu doja t’ju kujtoja që edhe në aplikacionin e vetë UEFA-s për këtë kampionat ka një rubrikë ku aty gjendjen edhe kontaktet e shërbimeve tona edhe email-i i emergjenceës që mund të kontaktojnë qytetarët. Kemi mobilizim të stafit tonë i cili ka ardhur edhe ai këtu dhe është këtu në qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet./tvklan.al