Delegacioni i Parlamentit Evropian në Tiranë mbështet angazhimin e qeverisë shqiptare për të aplikuar për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, por sheh si një test maturie zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Qershorit.

Deklarata u be nga  kryetarja e këtij delegacioni, Doris Pack, gjatë takimit të 15-të ndërparlamentar Shqipëri-BE.

Doris Pack: “Ne duam që të dalim me një deklaratë të përbashkët ku të thuhet se po ndihmojmë vendin tuaj për t’u bërë kandidat i BE-së. Një gjë është e qartë që Bashkimi Evropian është në kohë zgjedhjesh dhe jo të gjithë në bllok janë në favor të zgjerimit, por mos u dëshpëroni. Ne i përmbahemi premtimeve të bëra në Selanik dhe do të ecim përpara në ketë proces zgjerimi. Shumë shpejt do të kemi një komisioner të ri për zgjerimin dhe mendoj se në legjislaturën e ardhshme do ju sjellim pranë bllokut, por ju duhet të bëni punën tuaj, ne do t’ju japim ndihmën e nevojshme.”

Nga ana e tij përfaqësuesi çek i delegacionit ritheksoi vendimin e presidencës çeke të BE-së për konsiderimin e Ballkanit Perëndimor si prioritet të saj.

Tomas Szunyog: “Ky vendim është mjaft i rëndësishëm. Duhet të ketë një bashkëpunim dhe koordinim të të gjitha forcave brenda vendit, por dhe me presidencën e komisionit evropian dhe vendet anëtare. Vlerësoj progresin e Shqipërisë për në NATO.”

Qeveria shqiptare nëpërmjet ministres së integrimit ritheksoi se mbetet e gatshme për të aplikuar brenda presidencës çeke për statusin e vendit kandidat.

Majlinda Bregu: “Qeveria shqiptare po punon ngushtë me strukturat e Bashkimit Evropian dhe po koordinohet me presidencën çeke për të paraqitur aplikimin për statusin brenda këtij tremujori”.

Ndërkaq kreu i komisionit evropian në Tiranë, Helmut Lohan, e vlerësoi 2009-tën si një epokë e re për Shqipërinë, për shkak të hyrjes në NATO si anëtar me të drejta të plota dhe hyrjes në fuqi të MSA-së me 1 Prill.

Lohan garantoi se Bashkimi Evropian do të vëzhgojë gjithë procesin zgjedhor dhe veçanërisht përgatitjet për ecurinë e procesit gjatë muajit Maj.

Deklaratat mbështetëse të delegacionit të parlamentit evropian pasditen e së enjtes pasojnë të njëjtën frymë që anëtarët e tij përcollën gjatë takimeve që kryen paradite me presidentin e republikës, zëvendëskryeministrin, kryetaren e Kuvendit si dhe Ministrin e Drejtësisë, Alibeaj.

Në këto takime u vu theksi te domosdoshmëria e plotësimit të standardeve për zgjedhje të lira dhe të ndershme./tvklan.al