9 persona pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës në Spanjë janë arrestuar në një operacion të zhvilluar nga Europol në bashkëpunim me 6 shtete të tjera, mes të cilave dhe Shqipërinë, ku u zbulua një bazë e grupit.

Sipas hetimeve këta persona, pastronin paratë e krijuara nga trafiku i drogës duke i investuar në kriptomonedha, një pjesë e të cilave u sekuestrua nga Europol. Bëhet fjalë për 25 milionë euro kriptovaluta, para kesh, si dhe sende me vlerë që grupi posedonte.

Aksioni i zhvilluar, në të cilin mori pjesë dhe SPAK, është vazhdimi i operacionit “Gorgon”, të muajit korrik ku u godit klani “Çopja” në Elbasan dhe u lëshuan 33 urdhër arreste mes të cilave për vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.

Hetimi për goditjen e këtij grupi kriminal nisën në vitin 2021, ku pas një operacioni për trafik kokaine u sekuestruan para në një banesë në Spanjë.

Disa nga kartëmonedhat kishin mbishkrime me dorë, që iu vunë në dispozicion Europol, që më pas i verifikoi ato me të dhënat e dala nga zbërthimi i Sky dhe Encrochat.

Informacioni i përftuar zbuloi se rrjeti trafikut të drogës drejtohej nga Dubai dhe një prej organizatorëve të saj ishte një shtetas britanik që u prangos nga policia në 2022.

Tv Klan