65-vjeçari dënohet për atentatin ndaj Mishel Prelës

65-vjeçari Faik Buci, i arrestuar pak ditë më parë për vrasjen e vajzës së tij Eglantinës, është dënuar për një tjetër krim të kryer në bashkëpunim me djalin e tij Shkëlzenin. Bëhet fjalë për atentatin ku mbeti i plagosur aktori Mishel Prela. Gjykata e Tiranës dënoi 65-vjeçarin Buci me 1 vit heqje lirie për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Nga hetimet u zbulua se Faik Buci çmontoi pistoletën me të cilën djali i tij qëlloi ndaj Prelës 3 vite më parë. Për këtë ngjarje gjykata ka dënuar me 18 vite burg, Shkëlzenin, i cilësuar si autori kryesor.

Hetimet zbuluan se 35-vjeçari bashkëpunoi me një tjetër person për të realizuar atentatin, person i cili pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë duke zbardhur edhe vrasjen e Eglantina Bucit në 2012-n. Në dëshminë e tij ai ka treguar se 23-vjeçarja u ekzekutua nga vëllai i saj Shkëlzeni dhe më pas u hodh në Malin me Gropa.

Hetuesit kanë gjetur edhe eshtrat e të ndjerës, që pas krahasimit të analizave të ADN-së me nënën e saj u vërtetua se bëhej fjalë për 23-vjeçaren. Tashmë Prokuroria e Tiranës i akuzon babë e bir si autorë të vrasjes. Prokurorët thonë se krimi u krye nga Shkëlzeni me urdhër të babait të tij, për shkak se nuk pranonin lidhjen e vajzës së tyre me një djalë. 

Tv Klan