Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq qytetarin me iniciale A.R. për tetë vepra penale në lidhje me falsifikimet, si ‘Falsifikimi i dokumenteve’, ‘Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave’, ‘Falsifikimi i vulave’, etj, si dhe ‘Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale’ apo ‘Largimi i të burgosurit nga vendi qëndrimit’.

Nga hetimet, rezultoi se ai në bashkëpunim me persona të tjerë, kryenin veprimtari të paligjshme në fushën e falsifikimit. Prokuroria provoi se ai dispononte një laborator me të gjitha pajisjet e nevojshme për fabrikimin e dokumentave në mënyrë të jashtëligjshme, në një apartament të ndodhur në Rrugën “28 Nëntori”.

Ky shtetas, falsifikonte letërnjoftime, pasaporta, dokumenta zyrtare dhe së fundmi dhe kartëmonedha shqiptare dhe të valutave të huaja, të cilat i tregtonte për një çmim 15 – 20% të vlerës së tyre. Madje ai e vijoi këtë aktivitet të paligjshëm edhe pas masës së sigurisë ‘Arrest në shtëpi’, duke vijuar me të njëjtin aktivitet për të cilin ishte nën hetim.

Me kërkesë të prokurorisë u kryen edhe veprime simuluese për blerjen e dokumenteve false kundrejt pagesës dhe pas marrjes, dokumentet iu nënshtruan ekspertimit teknik nga ku u vërtetua edhe fakti se ato ishin false.

Nga hetimet rezultoi se pasi kryhej procesi i falsifikimit, dyshohej se këto porosi i dorëzoheshin qytetarit me iniciale B.D, i cili kryente rolin e ndërmjetësit duke bërë të mundur dhe kontaktin fizik me porositësin si dhe marrjen e pagesës prej tyre. Për këtë shërbim ndërmjetësimi, ai mbante një pjesë të pagesës ndërsa pjesa tjetër i shkonte falsifikatorit.

Nga kontrolli i banesës së këtij shtetasi u gjetën printera, kompjutera, prerëse dokumentash, vula të improvizuara, pasaporta të shteteve të ndryshme të dyshuara të falsifikuara, dokumenta të ndryshme të falsifikuara, bojra për printera, etj. Prokuroria sekuestroi vula të shumta në gjuhë të ndryshme, celularë, laptopë, skanera dhe printera e pajisje për stampime e pulla të ndryshme.

Po kështu u sekuestruan pasaporta të shumta të shtetasve amerikanë, francezë, grekë, kanadezë, bullgarë, Italianë e shqiptarë, etj të cilat më pas rezultuan të vjedhura ose të humbura dhe përdoreshin si model për të kryer falsifikimin

Nga hetimet e kryera, Prokuroria arriti në përfundim se shtetasi A.R. ka falsifikuar një sasi të madhe leje drejtimi, leje qëndrimesh të shteteve të ndryshme, certifikata të aftësimit profesional, karta shëndeti për shtete të huaja si dhe një sasi mjaft të madhe letërnjoftimesh e pasaportash shqiptare dhe të shteteve të ndryshme.

Në rastin konkret, rezulton se ai ka përdorur dhe falsifikuar një sasi të madhe vulash të institucioneve të ndryshme shtetërore, shqiptare dhe të huaja, të cilat i janë sekuestruar gjatë kontrollit të banesës./tvklan.al