Lajme Arkiva -TV Klan 2003

Agim Pepa, personi më i kërkuar në Shqipëri, si autori i ekzekutimit të nënkomisarit Gani Malushi dhe shoferit të tij, po krijon gjithnjë e më shumë imazhin e të pathyeshmit dhe për më tepër sfiduesit të shtetit për shkak të lidhjeve të njerëzve të veshur me pushtet. Aq e vërtetë duket kjo, sa dhe familjarët e viktimave, po mësohen ta pranojnë këtë realitet.

Shtëpia e nënkomisarit të ekzekutuar Gani Malushi është në zi edhe pse ka ende para syve çaste tronditëse, kur i shoqi luftonte me vdekjen për shkak të plagëve të rënda, gruaja e tij Esma u tregua e gatshme të bisedonte me ne. Ajo pranoi për herë të parë të flasë për televizionin, për të cilin tregon, se është në pritje të një takimi me prokurorin e përgjithshëm.

Esma:- “Përpara 4-5 ditëve, kam bërë një telefonatë prokurorit të përgjithshëm, më ka dalë sekretarja, për një takim personal unë me prokurorin e përgjithshëm dhe akoma nuk kam marrë konfirmim”.

Gazetarja:- Besoni se do të zbardhet përfundimisht ngjarja dhe kapet autori?

Esma:- “Kapja e autorit duhet të bëhet, pasi janë organe të tjera që janë të angazhuara, por zbardhja e ngjarjes për eliminimin e Ganiut mendoj se është shumë e vështirë”.

Është e lehtë të kuptosh, se veç ndjenjës së dhimbjes për humbjen e të birit, por rritet edhe zemërimi, jo thjesht e vetëm për krimin e ndodhur, por edhe për sfidën, që fajtori i lirë dhe nën hundën e policisë ende kërcënon. Babi i Gjovalin Ndreut, shoferit të nënkomisarit Malushi, tani thotë i bindur, se gjakmarrja ndaj djalit të tij është vetëm petku i rrem, që njerëz të interesuar duan t’i veshin një krimi që ka pasur si objekt vetë shefin e komisariatit të Krujës Gani Malushi.

Babi i Gjovalin Ndreut:- “Ata nuk kishin ndërmend normalisht, sidomos njëherë për djalin tim, nuk kanë pasur plan imediat për të vrarë djalin tim, sepse më kanë dërguar mua njerëz, që të falin gjakun e babës së tyre, që të nxjerrë ish-burrin e vajzës sime nga burgu. Një ofertë të cilën unë e kam pranuar pa kusht që ata të më falin gjakun, kështu që unë gjykoj në çdo moment që ishte një interes i tyre ato ta nxirrnin atë nga burgu dhe pastaj po të më prisnin në besë, le të më prisnin. Ky është një fakt, që djali im nuk duhej vrarë nga ata dhe nuk mund të vritej nga ata, së dyti, djali im udhëtonte çdo ditë me makinë, dy herë në ditë ishte bosh, njëherë kur shkonte ta merrte komisarin dhe njëherë në darkë kur kthehesh nga Tiranë dhe aq më tepër momenti i fundit, kur djali im ka qëndruar rreth një orë përpara verandës së një klubi dhe s’e vranë, pse s’e vranë djalin tim? Sepse nuk donin të vritnin djalin tim tek pullë, por djali im duhej vrarë, për të motivuar vrasjen e rastësishme të Gani Malushit. Thuhet nga njerëz, që është paguar një shumë rreth 100 mijë dollarë. Gani Malushi sipas mendimit tim është vrarë, sepse ai ka qenë një komisar i ndershëm, ka punuar gjithë jetën e tij, është përplasur me kriminelë dhe në këto kushte duhet të ketë pasur hesape për të larë ndaj tyre dhe këta tani Agim Pepën e kanë përdorur si mashë. Të gjitha faktet, të gjitha provat, i gjithë opinioni flet për një vrasje profesionale ndaj komisarit Malushi dhe djali im për të larë hesapet e gjakmarrjes”.

Janë dy familje që kanë humbur të afërmit nga i njëjti person, Agim Pepa. Ndërsa vetë familja e këtij të fundit pranon se djali i saj ka bërë vrasje për të marrë gjakun e të atit. Edhe prokuroria deklaron zyrtarisht, se motivi i vrasje është pikërisht ky. Megjithatë familjarët e Gjovalin Ndreut tani kanë një mori faktesh për t’i treguar drejtësisë, se Ndreu mund të ishte vrarë nga gjakësi pa shkaktuar viktima të tjera. Ata po i përplasin edhe njëherë në fytyrë shtetit të vërtetën, se fajtori po shijon ende lirinë në emër të privilegjit që gëzojnë të “fortët”./tvklan.al