Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në listën e gjatë të familjeve të pastreha që kanë humbur shtëpitë në firmat piramidale, figuron edhe familja Limani. Dy të moshuar në pension, Hakiu dhe Caja, kanë humbur 6 vjet më parë paratë e shtëpisë së shitur, një shumë prej 760 mijë lekësh në kompaninë VEFA Holding.

Haki Limani:- “7 milion e 600 shita shtëpinë e i futa të gjitha tek VEFA dhe tani kemi mbetur rrugëve, kemi mbetur si mos më keq, siç e shihni vetë. Tani jam me qira, paguaj 40 mijë lekë në muaj, vetë jam plak s’kam fuqi për punë edhe gruan e kam plakë dhe me atë pension që kam ça të marrë më parë, të marrë ilaçet që kemi nevojë, apo të hash apo të laj qiranë. Prandaj i lutem qeverisë të na ndihmojë”.

Ndërsa Caja thotë se me humbjen e shtëpisë ka humbur gjithçka.

Caje Limani:- “Kam 7 vjet që kam shitur shtëpinë, shtëpi më shtëpi e rrugë më rrugë kemi mbetur 7 vjet. Nuk kam asnjë gjë, vetëm flemë nëpër njerëzit tanë”.

Duke parë se jetojnë në një kasolle që e paguajnë me pensionin që marrin, të dy të moshuarit kanë dalë në mbështetje të grevës së urisë së grave, me shpresën e zgjidhjes së çështjes së shtëpisë./tvklan.al

Gazetare – Eva Paja