Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Deri pak muaj më parë, ndërtesa ka qenë magazinë e helmeve në ish-Kombinatin e Autotraktorëve, ku thuhej rrezik jete, sot është shtëpi banimi. Marku është larguar nga Puka si i pastrehë dhe e ka gjetur atë këtu. Vërtet ka shpëtuar nga bora, por ka blerë me para sëmundjen. Ai tregon peripecitë e heqjes së mbeturinave kimike, nga këto ambiente ku ai jeton sot me pesë pjesëtarë të tjerë të familjes. 

Marku:- “E kam blerë 10 milion e gjysmë, kam investuar edhe 6 milion e gjysmë deri tani, të paktën dhe 4 milion i do me e kthyer në formën e jetesës. Mbi dy muaj kam pasur dhimbje koke nga era e helmeve. Jam detyruar ta dezinfektojë disa herë për të hequr helmet, kam paguar rreth 15 mijë lekë disa makina, i kam ngarkuar helmet me punëtorë dhe i kam groposur në një vend larg”. 

Frika ekziston edhe tek 200 familjarët e tjerë të ardhur që jetojnë këtu. Ish-uzina e Autotraktorëve prej 41 vitesh ka strehuar kimikate të nevojshme për shkrirje të mjaft lëndëve, apo bojës së domosdoshme për lyerje të makinerive. Pas mosfunksionimit të saj, askush nuk u kujtua për mbetjet e dëmshme. Edhe kjo sipërfaqe tashmë është futur në hartën e zonave të ndotura mjedisore. Banorët e rinj që kanë uzurpuar çdo ambientet, i largojnë nga themelet e tyre mbetjet kimike e i hedhin diku më tutje, por fuqia gërryese e tyre lë gjurmë./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti