Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku ka mbërritur një kallëzim penal kundër zyrave të Përmbarimit të Shqipërisë. Paditësi, kryeadministratori i fajdeve Farudin Arapi, akuzon përmbaruesit, se kanë bërë shkelje të rënda në ekzekutimin e dosjeve për debitorët e firmave piramidale, duke shkaktuar dëmin prej 100 milion dollarësh.

Lajmi konfirmohet nga burime të Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka marrë ankesat e para të kryeadministratorit Farudin Arapi. Reagimi i këtij të fundit, duke i kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm, hetim të zyrave përmbarimore, erdhi pak ditë pas një urdhri të drejtorit të përgjithshëm të shërbimit përmbarimor gjyqësor, për kontrollin e dosjeve të pushuara ndaj debitorëve të firmave piramidale. Në Tiranë dhe rrethe të tjera.

Një ekip prej 10 punonjësish, nga zyrat e përmbarimit të rretheve të vendit, po kalojnë një për një në duar këto dosje, duke vërejtur edhe shkeljet përkatëse. Afati përfundimtar i verifikimit të tyre është muaji Qershor i këtij viti, por kanë mjaftuar ditët e para që përmbaruesit të shpallin se administratorët e fajdeve kanë shkelur ligjin. Kjo ka të bëjë pikërisht me dërgimin e dosjeve nga administratorët e fajdeve pa i identifikuar në mënyrë të saktë debitorët.

Kjo shkelje sipas drejtuesve të përmbarimit, u ka lënë shteg administratorëve, që pak ditë pas dërgimit të dosjeve të anulojnë bllokimin e pasurisë së debitorit, me justifikim se debitor është një tjetër person me të njëjtin emër. Deri tani, burimet pohojnë se nga këto shkelje kanë shpëtuar nga detyrimi ndaj firmave piramidale, persona të pushtetshëm dhe ndërtues të fuqishëm, por emri i asnjërit prej tyre nuk bëhet publik.

Sipas ligjit, emrat duhet të ishin publikuar në dy gazeta me qarkullim kombëtar dhe brenda afatit 45 ditor pas këtij publikimi, debitori duhet të shlyej detyrimin. Organi i akuzës ende nuk ka dhënë konfirmim nëse ka nisur hetimet për padinë e kryeadministratorit Arapi, por drejtori i Përmbarimit në Ministrinë e Drejtësisë Nasip Naço deklaroi, se për çdo rast është i gatshëm të vërë në dispozicion të prokurorëve të gjitha të dhënat dhe ligjin për firmat piramidale, që rezulton të jetë shkelur nga vetë administratorët./tvklan.al