Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Fadil Nasufi është kandidati socialist për bashkinë e Beratit. Kryetari socialist Fatos Nano ka prezantuar përpara elektoratit Nasufin, i cili është njëkohësisht edhe kryetari i PS në qytetin antik të Beratit.
Fatos Nano:- “Unë dua të vlerësoj programin ambicioz dhe përkushtimin politik, qeverisës, që shpalli përball nesh, kryetari i bashkisë së Beratit, kandidati ynë fitues Fadil Nasufi. Nuk ka si të mos ndihemi krenarë ne socialistët dhe progresistët, kur po rishfaqen potencialet prodhuese në shkallë kombëtare dhe ato që lidhen me traditat më të mira të qarqeve”.
Në fjalën e kryetarit socialist është rikthyer lavatriçja, kësaj radhe si tregues mirëqenieje.
Fatos Nano:- “Shfaqet sot, në faktin që 87% e tyre në shkallë vendi prej familjeve qytetare, janë të pajisura me makina larëse. Pa dyshim në këtë pikë, vlerësimet më të shumta vijnë në dobi të nënave, motrave, grave dhe shoqeve tona”.
Ndërsa në qytetin e Fierit, kandidon prefekti aktual Baftjar Beqo. Në këtë bashki kërkohet nga socialistët rikonfirmimi i mandatit pas fitores së PS në zgjedhjet lokale të 2002.
Fatos Nano:- “Asnjëherë nuk ka pasur më shumë liri, më shumë institucione demokratike, më shumë hapësira për sipërmarrje, më shumë mirëqenie në familjet shqiptare, se sa sot. Vendi gjithashtu, atdheu ynë, nuk ka pasur asnjëherë më shumë partnerë dhe miq në botën moderne. Prandaj e meritojmë dhe do ta realizojmë fitoren, e 12 Tetorit 2003”./tvklan.al
Gazetare – Danjela Kostandini