Autoritetet e Ministrisë së Brendshme, të cilat po monitorojnë procesin e aplikimit të qytetarëve me letërnjoftime po përballen me një fenomen ndoshta të paparashikuar.

Në shumë qendra mjaft vajza dhe gra të besimit mysliman kanë refuzuar të fotografohen pa perçe, ndonëse në kundërshtim me atë çka parashikon rregullorja e këtij procesi.

Vetë zv/Ministri i Punëve të Brendshme, Ferdinand Pone, e quan të papranueshëm një pozicionim të tillë të kësaj kategorie dhe paralajmëron se ato do t’i nënshtrohen sanksioneve nëse refuzojnë aplikimin.

Ferdinand Pone: “Personi në fotografi, persona në fjalë apo persona të tillë duhet të dalin sipas një standardi biometrik, që do të thotë duhet të duken veshët, duhet të jetë e zbuluar, duhet të jetë e plotë fotografia. Nuk mund të jetë e pjerrët nga njëra anë, me kokë ulur, nuk mund të jesh e buzëqeshur, nuk mund t’i kesh sytë e mbyllura se maten bebet, distanca e bebeve me radhë. Në këtë sens atje ka një standard sesi aplikohet. Do t’iu lutesha të gjithë qytetarëve që të aplikojnë sipas standardeve, ndryshe nuk është dokumenti i tyre i besueshëm nga pikëpamja biometrike dhe nuk bëhet.”

Sipas ekspertëve mbulimi i një pjese të fytyrës nga perçet cenon elementet e sigurisë së letërnjoftimeve dhe pasaportave të reja biometrike.

Në fakt kjo nuk është hera e parë që mbajtja e perçes kthehet në objekt debati mes kësaj kategorie dhe institucioneve të ndryshme./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani