Deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2009 vendi ynë do të ketë një sistem modern adresash, por që të arrihet kjo zv/Ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, ka kërkuar nga krerët e njësive bashkiake që të dorëzojnë deri në fund të Shtatorit të gjitha të dhënat që do të përdoren për hartimin e sistemit të adresave në të gjithë vendin.
Gjatë takimit me krerët e njësive vendore, zv/Ministri i Brendshëm iu ka paraqitur materialet filmike ajrore mbi bazë të së cilave do të punohet.
Ferdinant Poni: “Kemi në dorë një material shumë të vlefshëm, siç është materiali i filmimit ajror, për këto foto që do të na lejojë të punojmë së pari për adresimin e pjesëve të territorit publik. Ai do të ndiqet nga grupi i dytë i madh i punës që është numërtimi i ndërtesave dhe do të evidentohet pastaj dhe me popullimin e çdo ndërtese dhe krijimin e regjistrit të plotë të adresave ose janë planifikuar të mbarojnë brenda tre-katër muaj të tjerë në vitin 2009 dhe pastaj që do të pasohen nga puna e përditshme për përditësimin e sistemit të adresave në Shqipëri.”
Zyrat e urbanistikës dhe grupet e punës do t’u referohen të dhënave që do të marrin nga 65 bashki në të gjithë vendin./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami