Gjirokastritët: Nuk shqetësohemi; Vlonjatët nuk e pranojnë
“Flamurtari dhe Luftëtari nuk bëjnë dot merkato. FIFA e ka bllokuar se nuk kanë respektuar kontratat me lojtarët. FSHF është e detyruar të respektojë vendimin e FIFA-s”.
Sipas burimeve në Federatën Shqiptare te Futbollit, FIFA mund të lejojë trasferimet ne këtë sezon dimëror të merkatos vetëm në rast se klubet shqiptare do të paguajnë detyrimet që kanë nga kontratat e parespektuara, ose do të gjejnë një marrëveshje me futbollistët.
Të kontaktuar nga Tv Klan, drejtues të klubit gjirokastrit thanë se ky ndalim nuk i shqetëson, pasi skuadra është e kompletuar dhe se mund ta përballojnë sezonin me organikën që kanë.
Ndërsa nga Vlora, administratori Sinan Idrizi thotë se klubi do të paraqitet denjësisht për pjesën e mbetur të sezonit
“Jemi në merkato të plotë, do jemi dinjitozë. Prisni datën 21 se ça do të ndodhë. Detyrimet që kemi ndaj lojtarëve do i shlyejmë”.
Por të njëjtat burime në FSHF, e shohin me sy objektiv këtë çështje. Dy klubet, si Flamurtari edhe Luftëtari kanë detyrime financiare në shuma të mëdha dhe ndaj disa lojtarëve. Marrëveshja mes palëve apo shlyerja e detyrimeve duket e vështirë për t’u arritur deri në mbyllje të merkatos së dimrit.
Tv Klan