Situata me zjarret në Gjirokastër është neutralizuar dhe tanimë s’ka as prani të shtëllungave të tymit.


Kështu ka deklaruar kreu i bashkisë së këtij qyteti Flamur Golemi. Në një prononcim për Klan News, ai tha se mbrëmja e djeshme ka qenë tejet problematike, pasi flakët janë përhapur në një perimetër të gjerë, duke rrezikuar edhe lagjet aty pranë.

“Të gjitha lagjet gjithë mbrëmjen e djeshme kanë qenë të rrezikuara. Falenderoj punonjësit e forcave zjarrfikëse, Forcat e Armatosura dhe vullnetarë të cilët kanë punuar vazhdimisht për të shuar zjarrin. Bashkia ka pasur mbi 200 punonjës në terren, të ndarë në 4 vatrat problematike.”

 Ai kërkoi që organet kompetente të zbulojnë autorët e zjarrvënieve të qëllimshme, duke i cilësuar këta të fundit “kriminelë”.

“Ne do i shkojmë deri në fund kësaj historie! Edhe në tentativë për të pastruar kullotat, mund të krijohet situata emergjence.”

I pyetur për dëmet që ka shkaktuar zjarri, ai u përgjigj: Shërbimet pyjore po bëjnë bilancin, për fat të mirë, 1 hektar është dëmi në pyje, problem kullotat, më shumë shkurre dhe bar. E kemi mbajtur larg zonave të banuara, pasi mbrëmë u rrezikuan dy lagje.

“Jemi në pikun e sezonit turistik, kemi vazhduar kalendarin e aktiviteteve pavarësisht problemeve, por mbrëmja e djeshme ka qenë problematike”, përfundoi Golemi.

/tvklan.al