Lajme Arkiva 2003

Ky vit që është edhe i fundit i mandatit të qeverisjes vendore do të njihet ndryshe edhe si viti ku rregullohen rrugët më problematike të qytetit të Durrësit. Bashkia ka zgjidhur qesen dhe ka miratuar një sërë fondesh të konsiderueshme në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore.

Rruga “Aleksandër Goga” që nga Bashkia e deri në Porto Romano është arteria më e rëndësishme  e qyteti pasi e përshkon atë mes përmes. Gjendja e saj është tepër e amortizuar dhe e dalë thuajse krejtësisht jashtë përdorimit. Në të njëjtën gjendje kanë qenë edhe rrugët kryesore që lidhin lagjet e qytetit me këtë rrugë, si rruga “Mujo Ulqinaku”, “Hysen Myshketa” etj.

Përveç gropave të shumta dhe kanalizimeve që kanë qenë të bllokuara në kohë reshjesh këto lagje përmbyteshin, por dimri që vjen duket se do ti gjejë ndryshe këto rrugë dhe kjo falë fushatës elektorale.

Fondi prej 160 milionë lekësh për rrugën “Aleksandër Goga” u ndoq nga miratimi i disa fondeve të tjera për rrugët dytësore. Ndërkohë kësaj radhe puna filloi me kanalizimet. Puseta dhe kanalet janë ndërtuar nga fillimi në shumë segmente të tjera.

Forcat e bazës së NATO-s në Plepa kanë dhënë ndihmën e tyre në lëvizjen e materialeve inerte për punën e kryer në këto segmente. Deri më tani ka përfunduar sistemi i kanalizimeve dhe asfaltimi i rrugës nga varrezat e reja të qytetit deri te spitali. Aktualisht po punohet në përfundimin e punimeve në rrugët dytësore që të vazhdojë puna edhe në pjesët e mbetura të rrugës kryesore deri në sheshin kryesor të Durrësit.

Rregullimi i  rrugës “Mujo Ulqinaku” do të bëjë të mundur edhe vënien në funksionim të unazës së qytetit. Kjo pritet të lehtësojë tej mase dhe të shpërndajë në mënyrë të rregullt trafikun. Afati i përfundimit të punimeve në këto rrugë është 90 ditë dhe përpara dimrit ato do të jenë gati./tvklan.al