Për të promovuar dhe festuar kulturën dhe ekonominë lokale, bashkia e Durrësit organizoi për të dytin vit radhazi panairin dy-ditor “Taverna e Adriatikut.”
Stendat e biznesit u vendosën përgjatë shëtitores Taulantia, ku ekspozuan produktet e tyre jo vetëm për vendasit, por edhe për turistët e shumtë që ndodhen në Durrës për pushime.
Nënkryetari i Bashkisë Durrës, Gentian Kallmi, tha se panairi ofron një shumëllojshmëri artikujsh ku çdokush mund të gjejë diçka interesante.
Gentian Kallmi, nënkryetar bashkie: Ne synojmë normalisht ta kthejmë në një traditë lokale të këtij aktiviteti I cili mjaft mirë ekspozon produktet tipike të zonës, produktet lokale, po flasim për ushqime dhe për pije. Aktualisht kemi edhe nxënësit e shkollës ‘Hysen Çela’ të cilët me krijimtarinë e tyre do të ofrojnë edhe produkte të zonës.
Në panair nuk mungonte as stenda e shkollës profesionale “Hysen Çela,” ku u prezantua me gatimet e veçanta tradicionale.
Manjola Beu, mësuese e degës hoteleri-turizëm: Me gatime tradicionale të gatuara nga nxënësit tanë të gjithë të marrë pjesë, normalisht janë pak nga të gjitha traditat shqiptare sepse shkolla jonë promovon pak nga të gjitha traditat shqiptare të gatimit.
Stenda e librit dhe ajo e guidave dhe hartave turistike, punimet artizane, suveniret, prodhimet e verërave, mjaltit, dhe gatimet tradicionale durrsake, ishin disa prej produkteve të tjera të ekspozuara në panairi, ku nuk munguan as këngë dhe vallet tradicionale.
Klan News