Kompeticionet e shumta nga UEFA dhe FIFA kanë bërë që futbolli të jetë në aktivitet tepër të ngjeshur. Kjo ka vënë në rrezik edhe finalen më të rëndësishme botërore, atë mes fituesve të Kupës së Amerikës, Argjentinës dhe kampionëve të Europës, Spanjës.
‘Finalissima’ është në program për tu luajtur në qershorin e vitit të ardhshëm, por problem mbetet data. Pavarësisht se nuk ka Botëror ose Europian, krijimi i Botërorit të Klubeve me 32 skuadra shtrydh në maksimum futbollistët, ndërsa për shkak të ndeshjeve zyrtare nuk ka hapësira të lira.
Finalja e Ligës së Kampionëve zhvillohet më 31 Maj dhe datat ndërkombëtare të FIFA-s zhvillohen një javë pas saj. Kupa e Botës për Klube fillon në SHBA më 15 Qershor dhe përfundon më 13 Korrik.
Spanja është e përfshirë në ndeshjet e Ligës së Kombeve në shtator, tetor dhe nëntor, dhe më pas do të luajë potencialisht çerekfinalet në Mars të 2025. Gjysmëfinalet dhe finalet zhvillohen në datat 4-5 dhe 8 Qershor.
Nëse Spanja nuk do të kualifikohej, atëherë ekziston mundësia që iberikët t’i kishin ato data të lira, por Argjentina është e përfshirë në kualifikueset e Kupës së Botës gjatë gjithë këtyre datave. Mund të ndodhë në mes të 8 dhe 15 Qershorit, por do të kërkonte që klubet t’i lejojnë lojtarët për tu grumbulluar me këto kombëtare.
Nëse të dy kualifikohen në Kupën e Botës 2026 pa pasur nevojë për play-off, data tjetër e lirë do të ishte marsi i vitit 2026, vetëm disa muaj nga fillimi i Kupës së Botës.
Klan News