Duka: Ishte një punë e gjatë, do të sjellë të ardhura
Miratimi i kandidaturës të stadiumit Air Albania si mikpritës i finales së Conference League në 25 maj të 2022 erdhi si një punë e gjatë. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka tha se kjo është meritë e të gjithëve, ndërsa theksoi se do të sjellë të ardhura edhe për vendin.
“Nuk ka qenë një gjë e lehtë që ndodhi në një mbledhje apo lobim, ka qenë një përgatitje serioze e administratës. Një event që i sjell të mira Shqipërisë”.
Presidenti Duka tha se do të punohet prej javës së ardhshme për përmirësimin e fushës “Air Albania” që ka patur probleme, do të vendosen sisteme ngrohëse dhe ventilimi. Vetëm nëse nuk do të ketë rezultat do të vendoset një tapet hibrid. Duka konfirmoi se do të tentohet edhe zhvillimi i një finale Superkupe të Evropës në të ardhmen, por një synim i arritshëm është faza finale e një Evropianit U19 në Shqipëri.
“Në objektivat e ardhshëm do të ishte një turne i moshave, për shembull U19 që zgjatet në disa ditë dhe në 4 stadiume. Por kjo nuk do të thotë që nuk do të aplikojmë për Superkupën e Europës”.
Në këtë konferencë online Presidenti i FSHF-së, Armand Duka preku edhe problemet e futbollit shqiptar. Ai tha se ende nuk janë bërë hapa për plotësimin e kërkesave të Ligës së Futbollit, që do të sillte fitime edhe për qeverinë, por beson se ka ende kohë deri në fund të vitit.
Tv Klan