Mijëra supermarkete Tesco Express në Angli do të mbyllen më herët të dielën për finalen e Euro 2024. Shitësi më i madh ushqimor në Mbretërinë e Bashkuar Tesco tha se më shumë se 1,800 dyqanet e tij Express do të mbyllen në orën 19:30 në vend të orës 22:00 ose 23:00 për të lejuar punonjësit të shikojnë një finale që përfshin Anglinë. Kjo nuk do të reflektohet në pagën e punonjësve.
Anglia do të përballet me Spanjën në Berlin në orën 21:00 të dielën për një shans për t’u bërë kombëtarja e parë e këtij vendi që fiton një turne të madh që nga Kupa e Botës 1966.
Nga ana tjetër baret, pub-et dhe restorantet kanë shtuar numrin e punonjësve për ditën e ndeshjes. Po ashtu kanë shtuar edhe kapacitetin e tyre akomodues në mënyrë që të gjithë të mund të përjetojnë këtë ndeshje thuajse si në stadium në mbështetje të skuadrës.
Teksa pritet që të jenë miliona ata që do të zbresin në rrugë e sheshe për të ndjekur finale, edhe përgatitjet e lokaleve janë në të njëjtin nivel me furnizime prej miliona litrash birrë.
Tv Klan