Pas një finaleje magjike dhe çmimit Çesk Zadeja, balada “Rruga e zemrës”, me tekst të Eliza Hoxhës dhe muzike e orkestrim nga Darko Dimitrof i dhuroi trofeun e Festivalit të 11 të “Këngës Magjike”, Eliza Hoxhës dhe Rosela Gjylbegut.
Eliza Hoxha: “Vetë mesazhi i këngës flet shumë për të gjithë ata që duan ta kuptojnë brendin e tekstit dhe atë çfarë thotë kënga në përgjithësi”.
Rosela Gjylbegu: “Faleminderit të gjithë atyre që besuan këngëtarëve, që na votuan publiku që na trokiti dhe na priti shume mirë.
Eliza Hoxha: “Mos e harroni rruga e zemrës është gjithmonë fituese. Faleminderit”.
Më e klikuara në internet Elvana Gjata u vlerësua me votat e këngëtareve në vend të dytë me këngën “Zemra u ndal”.
Elvana Gjata: “Jam shumë e emocionuar sinqerisht falënderoj shumë artistët që kanë mbështetur, falënderoj shumë ata që kanë klikuar në internet që bëtë të mundur të fitoja çmimin e internetit. E falënderoj shumë e kam falënderuar gjithmonë por vlen shumë Flori për atë baladë që bëri për mua, Ardit Roshi. Ishin këto që unë erdha sonte këtu”.
Një tjetër balade dashurie “Zemër pa kurdisur” një krijim i Pirro Cakos, që meritoi dhe çmimin si melodia më e bukur interpretuar nga Soni Malaj u shpall e treta magji e Festivalit “Kënga Magjike”.
Soni Malaj: “Si gjithmonë në çdo vit të festival në Këngën Magjike ku vjen vendi i 10, i 9 unë gjithmonë jam kështu përpara, gjithmonë pastaj dal te vendi i 3 dhe i 2. Megjithatë unë jam shumë e lumtur sonte, ndjehem shumë, shumë e lumtur për çmimin e 3. Falënderoj kolegët të gjithë që më kanë votuar, për çmimin melodia, falënderoj jurinë dhe për gjithë karrierën time falënderoj publikun dhe familjen time”.
Këto ishin tri këngët e para të zonës se nxehte të festivalit. Pasi çmimin e kritikes do ta merrte këngëtarja Mira Konçi.
Mira Konci: “Ndjehem me shumë fat vërtetë që mu dha ky çmim. Çmim shumë domethënës për mua, ndër çmimet më të mira për mua dhe për këdo ma merr mendja. Nuk di ç’të them mbase një rikthim shumë i mirë si gjithmonë, bëj shaka. Po jam shumë e kënaqur”.
Ndërsa kënga hit e festivalit u shpall ajo e Flor Mumajesit, një krijim modern dhe rryme krejt ndryshe nga baladat e kompozuara prej atij vete për këtë festival.
Flor Mumajesi: “Publikut dhe sytë e publikut. Bëj një këngë hit do të thotë ta këndojnë të gjithë, kaq. Faleminderit”.
Dhe duartrokitjet e publikut kanë vlerësuar Adelina Ismajlin dhe performancën e saj dhjetë vjet pas konkurrimit të pare të këngëtares në Këngën Magjike.
Një çmim i rëndësishëm për vokalin më të mire i takoi këngëtares tjetër nga Kosova Rona Nishliu.
Rona Nishliu: “Është gjithmonë një çmim që gjithmonë kam synuar për të vetmen arsye që gjithmonë jam munduar të realizoj këngë të cilat paraqesin një vokal potent dhe një vokal që duhet të jetë pakëz pak më i komplikuar për tu arritur për tu kënduar”.
Ndërsa Jon Musik për produksionin më të mirë vlerësoi këngëtarin lirik Sidrit Bejleri.
Sidrit Bejleri: “Të them të drejtën nuk e pritja si çmim. Megjithatë më bohet shumë qejfi sepse unë nuk u zhgënjeva, sepse Ardit Gjebrea gjithmonë vlerëson artin e vërtetë”.
Për performancën më të bukur skenike u vlerësua kënga e Orinda Hutës “Oqean”. Finalja e Festivalit rezervoi surpriza që në hapje të saj me një performance të shkëlqyer të Jonida Maliqit me Magjinë e vjetshme të këtij Festivali “Njeri nga ata”.
Një tjetër gjetje artistike që magjepsi publikun në platenë e Pallatit të Kongreseve, me të drejte i pagëzuar si pallati i koncerteve ishte dhe perla e folklorit shqiptar “Janinës c’i panë sytë” sjelle me një ndërthurje origjinale nga grupi Zëri i Trebeshinës dhe sopranoja Ramona Tullumani.
Edicioni i 11-të i Festivalit Kënga Magjike që prej natës rrëmbeu vëmendjen e publikut për skenografinë dhe prurjet e reja që shënojnë jo vetëm një krijimtari muzikore moderne por edhe një nivel të lartë performance e ka kthyer festivalin jo vetëm në një prezantim të përvitshëm këngëtaresh dhe hitesh të reja.
Ardit Gjebrea: “Ishte cilësor sepse Kënga Magjike tashmë është një garanci. Është një garanci për të gjithë artistët të cilët impenjohen seriozisht që sjellin krijimet më të bukura, sepse besojnë në vlerën e muzikës shqiptare. Kënga Magjike nuk është thjeshtë një festival, është një tribunë e këngës, është një vend ku performohet, ku këngëtarët vijnë jo vetëm me vokalin, me interpretimin e tyre por me gjithçka që meriton një aktivitet me ermin shou i vërtetë i muzikës tonë”.
Dhe padyshim ky nuk është vetëm konstatim i stafit profesionist organizues, por edhe i vete publikut qe për tri netë pati mundësi ta ndjeke live magjinë e festivalit përmes kanalit TV Klan si dhe në një transmetim direkt në Kosove, Maqedoni e Bullgari, një tradite e përhershme kjo për Festivalin “Kënga Magjike”./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani