Me ardhjen e vjeshtës evenimenti më i rëndësishëm artistik i muzikës është tashmë në pritje të startit në TV Klan, Festivali Kënga Magjike. Plot 57 këngëtarë do të konkurrojnë për çmimet e këtij festivali, bashkëprodhim i TV Klan dhe Ardit Gjebresë, që këtë vit mbërrin në edicionin e tij të 11-të.

Në këtë kompeticion mbarëkombëtar të këngës bien në sy përveç këngëtareve nga Shqipëria edhe këngëtare shqiptarë nga Mali i Zi, Maqedonia, Kosova e Diaspora. Ndaj dhe surprizat që priten janë të shumta nga kjo krijimtari e zgjeruar gjeografikisht për krijimtarinë më të re muzikore shqiptare.

Përveç këngëtareve të njohur të vitit të shkuar, si Soni Malaj, Kastro Ziso, “Produkt 28”, do të ngjiten për herë të parë në skenën e Këngës Magjike këngëtarja nga Kosova Nora Istrefi, këngëtari Sidrit Bejleri, si dhe dy këngëtaret shqiptare në Eurovision, Kejsi Tola dhe Olta Boka. Do të rikthehen në festivalin Kënga Magjike edhe këngëtaret Mira Konçi, Orinda Huta, Elvana Gjata e Flor Mumajesi.

Sipas organizatorëve në ndryshim nga vjet kur morën pjesë me këngë solo, këtë vit Eliza Hoxha dhe Rosela Gjylbeku vijnë me një duet.

Për t’u veçuar janë edhe prurjet krijuese të këngëtareve të rinj vërtet dinjitoze në përballjen me këngët e këngëtareve Big.

7 këngët e para të festivalit të këngës magjike, do të prezantohen në spektaklin e të Dielës Shqiptare,  e kështu me radhe në plot 8 të diela rresht, deri në netët finale të Festivalit në Pallatin e Kongreseve, në datat 20, 21 dhe 22 Nëntor.

Si gjithnjë nën prezantimin e producentit Ardit Gjebrea, festivali i 11 i Këngës Magjike pritet të ketë shume surpriza, ndër të cilat edhe skenografia e veçante që sërish i është besuar mjeshtrit Italian te skenografisë Gaetano Kasteli, ndërsa ndriçimi Franco Ferrarit.

Ky është vetëm fillimi, mbeten edhe plot dy muaj nga netët finale të Këngës Magjike 2009 që do të sjellin në skenën tonë magjinë më të re muzikës së lehtë./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani