Donald Trump është zgjedhur Presidenti i 47-të i SHBA-ve, katër vite pas humbjes ndaj Joe Biden. Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi në një lidhje direkte nga Kalifornia me gazetarin e Klan News, Besard Jacaj u shpreh se fitorja e Trump do të shënojë një epokë të re për Amerikën.

Vokshi theksoi se Trump është i pari President që ka fituar në të gjitha shtetet e pavendosura, pasi sipasj saj republikani ka fituar besimin e plotë të popullit amerikan.

Albana Vokshi: Unë mendoj që fitorja e djeshme jo e Trump, por e forcave konservatore jo vetëm do të shënojë një epokë të re për Amerikën ku rikthehet slogan MAGA, por duke pasur parasysh që amerikanët vijnë të parët, mesazhet e Trump kanë qenë krejt të thjeshta. Mesazhi i parë i thjeshtë ishte ‘ekonomia, ekonomia, ekonomia’. Mesazhi i dytë ka qenë lufta kundër krimit. Mbrojtja e familjes ka qenë një nga temat kryesore që ka gjetur mbështetje te familjet amerikane. Sikurse me një ngjashmëri shumë të madhe me kundërshtarët politik të forcave që qeverisin edhe në Amerikë, Trumpin u munduan ta përjashtonin duke përdorur të gjitha format, duke i shkaktuar tre atentate me rrezik për jetën, duke i hapur çështje për korrupsion në mënyrë që ta burgosnin dhe ta përjashtonin. Pra njësoj si në Shqipëri edhe në Amerikë e majta kërkoi që ta hiqte Trumpin sepse ja kishin frikën, por besimi në misionin e Trump i dha një mandat që nuk e ka pasur asnjë forcë politike në Amerikë, një mandat të plotë me Kongres, Senat, pushtet vendor në një pjesë të madhe. Është i pari President që ka fituar 7 shtetet e pavendosura. Unë gjykoj që Trumpi do ta fokusojë te familjet amerikane dhe te politikat për bashkimin e Amerikës, në fokus të tij do të jetë Amerika.

Ndër të tjera demokratja Vokshi sa i takon ‘non gratës’ ndaj Sali Berishës në SHBA u shpreh që ka qenë një padrejtësi dhe nga qeveria e re pret të vihet drejtësi. Vokshi pati edhe një lutje për qytetarët shqiptarë ku tha se ashtu siç amerikanët votuan programet dhe alternativat të njëjtën gjë të bëjnë edhe shqiptarët.

Albana Vokshi: Jo vetëm PD, jo vetëm zoti Berisha, por unë gjykoj që të gjithë shqiptarët e dinë që ‘non grata’ e zotit Berisha ka qenë e lobuar politikisht nga Soros, Rama dhe duke përdorur edhe faktorë të tjerë, pasi për aq kohë sa nuk ka një dosje, fakte dhe asgjë, pra unë gjykoj që nuk ka asnjë arsye që administrata e re të rivendosi përsa i përket “non gratës” pasi është bërë një padrejtësi dhe duhet të vihet drejtësi. Nuk mundet të akuzosh zotin Berisha për korrupsion kur në fund të mandatit të tij kanë qenë vetë Blinken edhe Hillary Clinton apo përfaqësues të tjerë që e kanë uruar luftën e zotit Berisha për luftën ndaj korrupsionin.

Përtej “non gratës” unë gjykoj që ne do të vazhdojmë përpjekjet tona me mbështetjen e SHBA dhe me qeverisjen e re të gjejmë mbështetje për kërkesat e PD, për qeveri teknike. Kërkesa dhe lutja ime për të gjithë votuesit shqiptarë është që ashtu siç bën amerikanët që nuk votuan për tik-tokerat, këngëtarët, ama qytetarët amerikan dëgjuan programet, alternativat ku mesazhi i Trump ishte i thjeshtë dhe ndërkohë e pyetur Kamala Harris nuk dha asnjë zgjidhje. Amerika dëshmoi që kërkonte një udhëheqës të fortë.

/tvklan.al