Dy mundësit Chermen Valiev, dhe Islam Dudaev janë kthyer në aeroportin “Nënë Tereza”, pas suksesit të shënuar në Lojërat Olimpike të Parisit, duke sjellë me vete medalje të merituara. Mundësit janë pritur me ceremoni pas mbërritjes së tyre në Shqipëri.
Kujtojmë që të shtunën Shqipëria fitoi medalje bronzi me Chermen Valiev, mundësi i fundit nga Rusia i bashkuar vetëm këtë vit me ekipin kuqezi. Valiev triumfoi në duelin e peshës deri 74 kilogramë në stilin e lirë. Shqipëria debutoi në Lojërat Olimpike në vitin 1972 në Mynih.
Islam Dudaev fitoi një tjetër medalje për Shqipërinë në Lojërat Olimpike 2024, duke i kthyer më të suksesshmet në histori për vendin tonë në 10 përfaqësime në olimpiadën verore.
Mundësi kuqezi ia doli të mundë në duelin për bronzin për peshën deri 65 kilogramë në stilin e lirë kampionin e botës në fuqi Musukaev, i cili përfaqëson Hungarinë.
Duadaev triumfoi me rezultatin 13 – 12 këtë të diel në Paris./tvklan.al