Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare nga Maqedonia e Veriut si hapa kyçë për integrimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian. Komentet e saj vijnë në një kohë kur presidentja e sapozgjedhur e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka marrë detyrën pa përmendur emrin kushtetues në betimin e saj, duke shkaktuar reagime në skenën politike.

Von der Leyen ka vënë në dukje se për të siguruar një rrugë të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, Maqedonia e Veriut duhet të demonstrojë angazhim të plotë ndaj reformave të brendshme dhe të respektojë marrëveshjet e saj, duke përfshirë Marrëveshjen historike të Prespës. Ky qëndrim vjen si një kujtesë për vendin që të qëndrojë i përkushtuar ndaj objektivave të përbashkëta europiane dhe të mbajë kursin e tij reformues për të ardhmen.

Që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme për anëtarësimin në BE, është thelbësore që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, shkroi Ursula von der Leyen./KlanMacedonia