“Njerëz dhe fate” ishte padyshim seriali që mbajti të “mbërthyer” çdokënd përballë ekranit me ankthin dhe frikën për atë se çfarë do të ndodhte në serinë e rradhës. Edhe pse prej shumicës quhej si një telenovelë, “Njerëz dhe fate” ishte një nga serialet shqiptarë më të pëlqyer.
“Simboli” i viteve 2000-2003 rikthehet pas më shumë se dy dekadash në kinema, kësaj here jo në versionin e një seriali, por të një filmi. Megjithatë kurioziteti i të gjithëve është se si do të vazhdojë rrjedha e historisë së lënë përgjysmë këtu e 20 vite më parë.
Arben Derhemi në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan ndan me publikun detaje sa i përket asaj që trajtohet në film. Ai sqaron se historia e personazheve do të kenë një rrjedhë logjike me serialin, por duke iu përshtatur kohës dhe aktualitetit.
Katerina Trungu: Rrjedha e ngjarjeve si vazhdon?
Arben Derhemi: Domosdoshmërisht duke ardhur pas 20 vitesh, normalisht që personazhet nuk janë më ata që kanë qenë as historitë nuk janë më ato që kanë qenë, as dëshirat e publikut nuk janë më ato që kanë qenë, kështu që edhe filmi është zhvilluar në një anë pak më shumë aksion. Gjithsesi personazhet janë të mbetur në stanjacion në momentin e ikjes së “Njerëz dhe fate” dhe duke qenë që skenaristi bëri të mundur një volum të madh skenari për vazhdimësinë ne kemi zgjedhur gjërat më të mira të mundshme për publikun dhe për atë që ne mendojmë se për momentin është më e këndshme dhe ka më shumë kërkesë. Plus që personazhet domosdoshmërisht do të vinin nga një rrjedhë dhe nuk mund të ketë alogjizma në vazhdimësi të personazheve dhe në vazhdimësi të roleve e karaktereve të tyre.
Katerina Trungu: Sepse mendohet që kanë kaluar gjithë këto vite. Flori për shembull ka ndryshuar?
Arben Derhemi: Flori domosdoshmërisht ka ndryshuar sepse kishte ikur nga burgu, kishte dalë jashtë. Pastaj dalja jashtë e tij dhe shkuarja e tij diku tjetër është zhvilluar në film./tvklan.al