Rikthehet pas 24 vitesh “Njerëz dhe fate”. Seriali, prodhim i vitit 2000 – 2003 do të jetë në kinema më 1 Nëntor. Realiteti i shqiptar i pasqyruar përmes ekranit bëri për vete të gjithë shqiptarët që prisnin me akth serinë e radhës që do të transmetohej.

I ftuar në “Shije Shtëpie” Arben Derhemi, të cilin shumica e njohin edhe si “Flori” i “Njerëz dhe fate”, kujton impaktin që pati seriali gjatë atyre viteve.

Që prej përfundimit të tij, të gjitha pa dyshim kanë pritur që të rikthehet. Arben Derhemi shprehet se dëshira e tij fillestare ka qenë që “Njerëz dhe fate” ta rikthente dhe një herë si serial. Sipas tij u aprovua fondi i pavarur për xhirimin e 10 serive, por marrëveshja për të vazhduar nuk u firmos kurrë.

Arben Derhemi: Ishte një histori aq reale saqë të gjithë e gjenin veten brenda saj, çdo kush e gjente veten brenda saj, të rinjtë që ishin meshkuj e gjenin veten brenda saj, në pamundësinë e tyre për të çarë në jetë. Familjarët që e gjenin veten brenda asaj amullisë të çuditshme familjare që ndodh në Shqipëri sot e kësaj dite dhe nuk duam ta tregojmë. Filmi ishte në një farë mënyre dhe pasqyrë e pastër e realitetit, pasqyrë e thënë troç e asaj që ndodhte në Shqipëri dhe të viteve që shqiptarët ndjeheshin në një farë mënyre mirë apo keq, në këtë aspekt. E treta ishte dhe fakti që pati një lloj ndikimi në atë që u quajt telenovelë, dhe mënyra se si u luajt, mënyra familjare, se si komportonin aktorët ishte një qasje e re karshi të luajturit në film. Pavarësisht se teknikisht filmi linte për të dëshiruar, por në kuptimin më të ngushtë të fjalës, në kuptimin aktoresk, regjisorial ishte një film që ngjante shumë me realitetin, ky është fakti ndoshta që u dashuruan shumë me të.

Katerina Trungu: E donin dhe e duan, aq shumë saqë unë kujtoj para pak kohësh kur ti vendose të nisje tentativën për të risjellë “Njerëz dhe fate”, pati shumë ndikim dhe në rrjetet sociale të gjithë ishin shumë pozitivë. Ti dëshiroje të bëje seria përsëri, pra vazhdim, apo doje që të ishte film?

Arben Derhemi: U aprovua faktikisht një 10 serish me një minimum të mundshëm të fondeve nga Televizioni Shqiptar nga Këshilli Drejtues dhe Bordi me një fond të pavarur. Në momentin që po nënshkruheshin letrat dhe po nënshkruhej kontrata iku drejtori që ishte në atë kohë dhe erdhi një personazh tjetër, ai iku gjithashtu për dy javë dhe erdhi personazhi që iku para pak kohësh. Ai personazhi që iku para pak kohësh nuk dëshironte që Televizioni Shqiptar, kam përshtypjen unë. Nuk dëshironte që Televizioni Shqiptar të ishte autori i atij filizi që kishte bërë, dhe atij filizit që i kishte kthyer gjithë spektatorin dhe telespektatorin Televizionit Shqiptar. Nuk donte për motivet e veta, nuk e di, dhe anuloi të gjitha fondet. Këto fonde të pavarura nuk mund të shkojnë askund tjetër, kështu që të gjitha fondet në Shqipëri ndodh ajo teoria që “penalltia është e imja do ta gjuaj unë,” dhe drejtori është ai që është dhe do ta gjuajë ai patjetër. Nuk u hodh firma kurrë, por vetëm gënjehej gjithë kohën dhe nuk e di se përse gënjente. Njeriu thotë po ose jo, nuk ka pse diskuton sepse ajo nuk ishte një gjë që mi dhanë mua apo ia dhanë dikujt tjetër, ishte një produkt që e donte publiku, e donte Televizioni Shqiptar që domosdoshmërish të kthente dhe një herë tjetër fytyrën e Televizionit Shqiptar. Kështu që unë me ata miqtë e mi, me ato dëshirat e mia, me atë kokëfortësinë time, me dëshirën për të bërë diçka të bukur, dhe me ndihmën e vëllezërve e produksionit Papadhimitri bëri që ta sjellim në jetë dhe më 1 Nëntor të jemi në premierën e filmit në TEG, QTU dhe Milenium./tvklan.al