Pas periudhës së vështirë me debate të brendshme, Partia Demokratike është kompakte në prag të zgjedhjeve parlamentare. Kështu deklaroi në studion e Klan News, anëtarja e Kryesisë së kësaj force politike Floriana Garo. Sipas Garos, si kryedemokrati, ashtu edhe të gjithë eksponentët e tjerë kanë nisur takimet intensive me bazën.

“Kemi filluar të rizgjojmë bazën, demokratët…Ajo që bëri zoti Berisha ishte pikërisht foltorja, u dha mundësi qytetarëve që të shprehen për shqetësimet e pakënaqësitë e tyre. Këtë rrugë po ndjekim edhe tani. Unë jam e angazhuar me grupin e punës së Durrësit.”


Teksa ndalet tek takimet e saj në Durrës, vë theksin tek problemet ekonomike të qytetarëve.

“Kur flas me çiftet e reja në Durrës, e kanë të pamundur të blejnë një shtëpi, të nisin bashkëjetesën. Nuk ia dalin. Edhe pensionistët, rritja ka qenë inekzistente. Gjithë fokusi ynë do jetë tek ekonomia. Minimumi jetik për frymë, me 400 mijë lekë për çift, krahasuar me 120. Edhe studentët do kenë paratë e tyre mujore. Rroga mesatare 1200 euro, janë gjëra plotësisht të mundshme dhe të përllogaritura me mundësitë dhe buxhetin.”

Ekonomia në fokus të PD-së, por si do procedohet nëse fiton zgjedhjet më 11 Maj?

“Paratë janë aty, ne do bëjmë një rishpërndarje totale të burimeve natyrore të Shqipërisë. Sepse janë të keqmenaxhuara! Do vazhdojmë me projektet infrastrukturore, por nuk do bëhen me çmimet që po bëhen për momentin. Këto premtime do realizohen që në 100-ditëshin e parë të mandatit”, u shpreh Garo.

Nisur nga “energjia” e Berishës në politikë, Garo thotë se të gjithë “e shohin si model”.

“Është modeli më i mirë që ne kemi. Zoti Berisha politikën, Partinë Demokratike, fitoren e ardhjen në pushtet e ka prioritet dhe është motivi i tij.”

/tvklan.al