Zëvendësministri i Financave, Florion Mima, i ka cilësuar të pavërteta akuzat e kreybashkiakut të Tiranës në adresë të qeverisë për rritje taksash ndaj biznesit të vogël. Mima sqaroi se bizneset e vogla në fund të vitit do të bëjnë rakordimet me pushtetin qendror duke përfituar rimbursim për tatimin e tepërt të derdhur në arkat e pushtetit vendor.

Florion Mima: “Në lidhje me një deklaratë të djeshme të kryetarit të bashkisë së Tiranës, sikur gjoja bizneset e vogla penalizohen nga prezantimi i taksës së sheshtë prej 10% që ato do duhet të paguajnë në fund të 3 mujorit të parë për vitin 2008. Kjo është një gënjeshtër, absolutisht një gënjeshtër. Nuk bëhet fjalë për asnjë taks të re. Bizneset e vogla të cilat parapaguajnë kuotat fikse në bashkinë e Tiranës me përfundimin e vitit do të duhet që të bëjnë rakodrimin në pushtetin qendrorë dhe ne presim që në fund të këtij procesi, ato jo vetëm që nuk duhet të paguajnë taksa shtesë, në të kundërt pjesa më e madhe e tyre do të rimbursohen për tatimin e paguar tepër komunave dhe bashkive”.

Numri 2 i financave ka theksuar se rritja e taksave është një etikete që karakterizon bashkinë e Tiranës. Sipas tij kjo e fundit përveçse ka rritur nga 25 deri 40 % taksat vendore nga njeri vit në tjetrit, ka shtuar së fundmi dhe një taksë absurde prej 1 mijë lekësh për kamionçinat apo mikrobuzët e qyteteve të tjera sa herë që ato hyjnë në kryeqytet.

Florion Mima: “Zoti Rama bën mirë të shikoj taksat dhe tarifat lokale, përmend këtu taksën e gjelbërt, përmend tarifën e pastrimit, taksën e pasurisë dhe më e keqja akoma një taks të re e cila do të prezantohet në vitin 2009 dhe që ka të bëj me të gjitha targat e kamionçinave, kamionëve, mikrobuzëve, autobusëve që hyjnë në Tiranë dhe që nuk janë targa të Tiranës. Në çdo prekje të tyre në territorin e Tiranës ato do të duhet të paguajnë 1 mijë lekë taksë, një çmenduri e vërtetë”./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro